Patozi: Ndryshimet në statut nuk zgjidhin situatën në parti

schedule14:09 - 13 Prill, 2018

schedule 14:09 - 13 Prill, 2018

As punimet e Kuvendit kombëtar duket se nuk do të sjellin një bashkëjetesë mes kreut demokrat Basha dhe grupit kundërshtar. Sipas ish-nënkryetarit të PD Astrit Patozi çarja brenda radhëve të partisë nuk mund të rikuperohet vetëm me diskutimet për ndryshimet në statut.

Ish-nënkryetari i PD Astrit Patozi nuk e konsideron si zgjidhje të mosmarrëveshjeve brenda radhëve të demokratëve mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD.

“Përse i lodhni delegatët dhe i sillni dy ditë kot në Tiranë, për një gjë që nuk e ka kërkuar kush? Sepse “dashnorët” e statutit duhet ta dinë që askush prej nesh nuk e çon nëpër mend se kjo krizë dhe çarje e madhe në PD ka ardhur për shkak të librit të rregullave dhe as që mund të ndreqet vetëm prej tij. Sepse Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që qëndron pas tij, siç shpërfilli dhe nuk e respektoi kurrë të vjetrin, ashtu mund të hedhë në kosh edhe të riun”.

Ndërsa pritet që ky Kuvend, të sjellë një pajtim mes përfaqësuesve të selisë blu, në komentin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Patozi jep një tjetër qasje.

“Mos i torturoni kot ata njerëz, duke i sjellë në një Kuvend të sajuar, sepse shumica e tyre mund të jenë dakord edhe që të mos ketë statut fare Partia Demokratike, mjafton që Luli dhe avokatët apo protektorët e tij të mos mërziten. Sa për ne të tjerët, merreni, zijeni dhe pijini lëngun atij statutit të ri, që do të miratojë Kongresi i vazhdimësisë, sepse ai nuk i duhet as dreqit”.

Kuvendi Kombëtar është thirrur të zhvillojë punimet fundjavën e ardhshme dhe pritet që diskutimet të jenë vetëm mbi statutin e Partisë Demokratike. Ndërsa mbledhjes së këtij forumi do t’i paraprijë një mbledhje e kryesisë së partisë, e parashikuar për t’u zhvilluar pasditen e nesërme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!