Drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi u shpreh i bindur se Partia Socialiste do të tërhiqet duke ndryshuar draftin që paraqiti për hapjen e listave, që kundërshtohet nga opozita brenda dhe jashtë parlamentit. “Varianti Gjiknuri që është paraqitur nuk do të miratohet ashtu, do të ndryshojë, pragu po e po por edhe cështja e listave, sepse është maskaradë, skandaloze. Kurrë, kurrë. Fakti që ata u tërhoqën dhe nuk pati parlament sot dhe morën kohë nuk ishin të sigurt që ta bënin sikur e nisën” tha ai përballë gazetarit Endri Xhafo në studion e Abc News.
BD në parlament ka një zë dhe votë që është Andi Përmeti, por cili është kushti i tij për listat? “I vetmi kusht i joni është që lista të jetë e hapur realisht dhe ne kemi një draft të dorëzuar në parlament nga zoti Përmeti, që është një draft kompromisi. Që, sot që po flasim PS-ja thotë që listat t’i mbajmë të mbyllura dhe koalicionet të mos ekzistojnë më. PD-ja thotë që lista të hapet 100% por koalicionet të mbesin sikur janë, kjo është pak hipokrite, por nëse hapen listat, çështjen e koalicioneve ta zgjidhin si të duan. Te hapja e listave opozita është e gjitha në unison”.
Por ku konsiston drafti i Bindjes Demokratike? “Për hapjen e listave ka tre rrugë, më e mira është hapja 100% dhe mbyllet historia, por meqë është më larg variantit Gjiknuri, kemi propozuar një zgjidhje që është në mes, që nëse një parti do, ta mbajë mbyllur deri në 30%, pasi Kushtetuta thotë se jo më pak se 30% detyruese. Ky është drafti ynë. Dhe ne i hapim 100% listat”.
Çështjen e pragut, ai e cilëson pa sens. “Pragu do të ulet se nuk ka sens, madje nuk duhet të ekzistonte fare. Është i padiskutueshëm që do të ulet. Ose pragu zhduket fare që të mos ekzistojë, ne e kemi një prag për sa kohë e kemi sistemin rajonal proporcional. Kjo është e papranueshme nuk ka për të ndodhur”.
Patozi është kundër PD-së që kërkon që cështja të dërgohet për ekspertizë te ODIHR. “Ky është një problem tipik shqiptar, jo i OSBE-së dhe duhet ta zgjidhim ne. ODHIR ka 30 vite në Shqipëri ka vetëm një rekomandim depolitizimin e komisioneve dhe këtë nuk e bënë. OSBE-ODHIR dhe Venecia përdoren në Shqipëri për ta çuar cështjen në kalendat greke. Mundësisht brenda kësaj jave duhet t’i japin drejtim”.
Në këtë debat, Patozi thotë se PD-ja është një hap përpara PS-së. “PS është e vendosur që të mos e ndryshojë çështjen e koalicioneve sepse qëllimi ka qenë që të mos ekzistonin. PS-ja dhe PD-ja janë të dyja njëlloj të interesuara dhe shpirtërisht të kënaqura me marrëveshjen e 5 Qershorit. Ashtu e duan Shqipërinë të dyja. PS-ja përtej 5 qershorit futi edhe këtë thikën e listave.
PS-ja tani është një hap pas PD-së. Sot PD-ja është një hap para PS-së në funksion të interesit publik në raport me zgjedhjet. Sepse është deklaruar zyrtarisht se është për hapjen 100% të listave, por duke ruajtur koalicionet sikur ishin. Të dyja për mua këto nuk qëndrojnë. Intuita më thotë se do të ketë një zgjidhje dhe kam frikë se edhe kjo zvarritje është e qëllimshme dhe për këtë janë të interesuara të dyja palët. PS-ja do ta shtyjë sa më shumë që publiku të vihet para faktit të kryer”.
Po aleatëve të PD-së cfarë u intereson? “Aleatëve u intereson që lista të jetë e mbyllur dhe me të drejtë sepse duan të jenë të mbrojtur në listën e Bashës, se kanë sakrifikuar kanë lënë partitë e veta, nuk kanë konkurruar në zgjedhjet e kaluara, në lokalet nuk morën pjesë, kanë shkrirë gjithçka kishin dhe tani është koha që Basha t’ua njohë”.
Megjithatë ai ka një kërkesë për Edi Ramën. “PD-së i intereson që Ramës ti marrë koka erë dhe ta mbajë sikur e ka draftin Gjiknuri. Çfarë fiton PD? E para lista është e mbyllur, edhe aleatëve u intereson, por fiton dicka tjetër, e ka bërë kundërshtari, madje duke e treguar me gisht kundërshtarin si delen e zezë dhe ai është delja e zezë po e bëri. Rama duhet të zgjedhë nëse do të jetë delja e zezë”.
Por nëse ka një ftesë nga PD-ja për koalicion si do i përgjigjet ish-nënkryetari i kësaj partie? “As ka për të bërë propozim, ata duan rrotacionin, që Shqipëria të mos ndryshojë, nëse ata ndryshojnë, edhe ne mund të shikojmë se në politikë nuk ka vendime të formës së prerë asnjëherë. Duhet te ketë një front tjetër kundër këtyre, Shqipëria do të ketë një alternativë të re nga dy partitë”.
Indiciet për këtë alternativë, ai i tregoi kur pranoi se mund të bëjë koalicion me partinë e Myslym Murrizit, ndërsa la të hapur rrugën edhe për forcën e Rudina Hajdarit. “Ende nuk e dimë kush do të jenë në fushën e lojës, pasi do të ketë lojtarë të rinj. Murrizi është partner shumë i pranueshëm, është natyral“.
Rudina Hajdari? “Ne bashkëpunojmë me cdo kënd, cdo parti, forcë politike, lëvizje, edhe shoqërinë civile, edhe personazhe publikë, apo individë, nuk bëjmë koalicionet me forcat e vjetra politike, që njëra do të ruajë stanacionin tjetër thotë rëndësi ka vetëm rrotacioni” përfundoi ai./ db/Abcnews.al