491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kapin vlerën rreth 150 milionë euro, është totali që Gjykata e Posaçme ka vendosur në sekuestro preventive, me kërkesë të SPAK në kuadër të një hetimi që po kryen struktura e posaçme, për një nga grupet më të fuqishme kriminale, të identifikuara deri më tani nga organi i akuzës, që ka trafikuar tonelata me kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Evropian.
Shpëtim Aliu, Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, i njohur ndryshe me emrin Denis Matoshi, ishin tre personazhet kryesore të këtij rrjeti të sofistikuar kriminal, të cilëve iu sekuestruan disa pasuri me vendim të GJKKO.
Përmes një kërkese me 65 faqe, që ABC News ka siguruar, kreu i SPAK, Klodian Braho, dhe Doloreza Musabelli, dy prokurorët e çështjes, i kanë kërkuar shkallës së parë të gjyqësorit të vendosë në sekuestro preventive të gjitha pasuritë e identifikuara deri më tani, që i përkasin 10 personave ndaj të cilëve u lëshua masë sigurie të martën, por edhe të familjarëve apo të afërmve të tyre, që kanë përfituar pasuri në mënyrë të tërthortë.
Eldi Dizdarit, kreu i një karteli droge, i njohur ndër vite për përfshirjen e tij në tregun e kokainës, iu sekuestrua një sipërfaqe toke 198 metër katror, një garazh me sipërfaqe 14.3 metër katror dhe tre llogari bankare, në një bankë të nivelit të dytë. Dritan Gjikës iu sekuestrua po ashtu një sipërfaqe toke 12 mijë metra katrorë në Shirokë për ndërtimin e një kompleksi rezidencial banimi, shërbimi dhe hotelerie, si dhe 4 llogari bankare.
Me qindra pasuri iu sekuestruan Shpëtim dhe Nikollë Bibaj, ky i fundit në kërkim nga SPAK me masë sigurie arrest në burg. Pasuritë përfshijnë apartamente, vila, poste parkimi, llogari bankare etj.
Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka identifikuar vetëm 491 pasuri të paligjshme, të cilat janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës. SPAK është duke vijuar hetimet për identifikimin e anëtarëve të tjerë të këtij rrjeti kriminal, si dhe po verifikon pasuritë e tjera të këtyre personave./abcnews.al



