Rritet ndjeshëm fluksi i lëvizjeve në Pika Kufitare e Kapshticës, teksa emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi po kthehen në atdhe për të festuar Pashkët pranë familjarëve.
Gjatë orëve të mbrëmjes është regjistruar një shtim i ndjeshëm i hyrjeve në territorin shqiptar. Për të përballuar situatën, autoritetet shqiptare kanë shtuar numrin e sporteleve në funksion, duke operuar aktualisht me 5 të tilla në hyrje dhe 1 në dalje.
Pavarësisht fluksit të lartë, pala shqiptare ka arritur të shmangë krijimin e radhëve dhe pritjeve të gjata, falë menaxhimit dhe funksionimit maksimal të kapaciteteve në dispozicion.
Ndërkohë, ndryshe paraqitet situata në palën greke, ku sipas udhëtarëve pritjet arrijnë deri në 1 orë e 30 minuta.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa paralajmërojnë se fluksi pritet të rritet edhe më shumë në ditët në vijim, për shkak të festës.


