Kate Winslet është shprehur se shtypi është treguar shumë i ashpër ndaj saj pas famës që mori me interpretimin në filmin “Titanic”. Në një intervistë për Marc Maron, fituesja e çmimit Oscar rrëfeu përvojën e vështirë me të cilën u përball, duke thënë se iu desh të vetëmbrohej pas famës që mori prej filmit.
Në moshën 22-vjeçare gjatë kohës së publikimit të filmit, Winslet tha se ajo “ishte ende duke mësuar se si të vepronte“. “Ishte si nata me ditën. Isha subjekt i një vëzhgimi fizik personal, u kritikova shumë dhe shtypi britanik ishte mjaft i ashpër ndaj meje. Të jem e sinqertë, ndihesha e ngacmuar.
Më kujtohet kur mendoja “kjo është e tmerrshme, shpresoj të kalojë” – patjetër që kaloi, por më bëri të kuptoj se, nëse kjo ishte të qenit e famshme, unë nuk isha gati të bëhesha e famshme, faleminderit, jo, patjetër që jo.“, tha aktorja.
“Kështu ndjeva sikur ende nuk isha vërtet e gatshme të bëja gjëra të mëdha në Hollywood. Ishte një përgjegjësi e madhe. Nuk doja të bëja gabime.“, shtoi më tej aktorja. Edhe pse Kate ishte tashmë një aktore fituese e BAFTA falë rolit të saj në 1995 në ‘Sense and Sensibility’, ishte ‘Titanic’ që e çoi famën e saj në nivelin tjetër. /abcnews.al/