Pas tensioneve diplomatike, ministrja e jashtme gjermane viziton Ukrainën

schedule13:05 - 10 Maj, 2022

schedule 13:05 - 10 Maj, 2022

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka vizituar sot Ukrainën,  duke bërë ndalesën e parë në Bucha. Baerbock vizitoi një kishë në qytet ku prokurorët po hetojnë nëse krimet e luftës janë kryer nga trupat ruse, sipas CNN.

Ajo gjithashtu pa nga afër situatën, e shoqëruar nga prokurorja e përgjithshme ukrainase Iryna Venediktova. Baerbock është anëtarja e parë e kabinetit gjerman që udhëton në Ukrainë që nga shpërthimi i luftës në vend, dhe udhëtimi i saj vjen pas një periudhe tensioni diplomatik midis Gjermanisë dhe Ukrainës.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier  tha se do të vizitonte Kievin në prill në një udhëtim të përbashkët me krerët e shteteve të Polonisë, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, por zyrtarët ukrainas thanë se nuk donin që ai të vinte.

Vendimi erdhi mes kritikave të vazhdueshme për marrëdhëniet e ngushta të Steinmeier me Rusinë në rolin e tij të mëparshëm si ministër i Jashtëm, si dhe kritikat nga Kievi se Gjermania hezitonte të ofronte mbështetjen e nevojshme ushtarake për Ukrainën.

Në fillim të majit, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nuk kishte plane të vizitonte Ukrainën pas refuzimit të Steinmeier nga Kievi. Por mosmarrëveshja u zgjidh më 5 maj kur Steinmeier dhe Zelensky  zhvilluan një bisedë telefonike, sipas zyrës së Presidentit gjerman.

/abcnews.al