Pas takimit me përfaqësues të opozitës, Mogherini takon Bashën në Rinas

schedule16:58 - 18 Prill, 2018

schedule 16:58 - 18 Prill, 2018

Në përfundim të konferencës me kryeministrin Edi Rama, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini, vijoi axhendën e paralajmëruar të takimeve me pritjen e përfaqësuesve të opozitës në zyrat e delegacionit të Bashkimit Europian. Rrugës protestues kuksianë e pritën me disa pankarta në gjuhën angleze. Mesazhi i kujtonte përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Në mungesë të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, ishte zëvendëskryetari i kësaj force politike Edi Paloka i cili në përfundim të takimit zbardhi qëndrimin e opozitës. Më shumë vëzhgim dhe transparencë kërkuan nga Komisioni Europian në të ardhmen ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.

Takimi mes përfaqësueses se lartë të BE-së Mogherini me kryedemokratin Basha, i menduar i pamundur për shkak të angazhimit në shtetin Gjerman të këtij të fundit, u mundësua shkurtimisht në sallën VIP të aeroportit “Nënë Tereza”edhe pas spostimit të orareve në axhendën e përfaqësueses së lartë.

Gjatë takimit që zgjati pak minuta kreu i opozitës shkëmbeu disa mendime dhe opinione me shefen e diplomacisë europiane përpara se t’i drejtohej selisë blu për bashkëbisedimin e lajmëruar me gazetarët. /abcnews.al