Basha qytetarëve të Durrësit: Trokisni në dyert e atyre që s’kanë votuar, ndihmoni të moshuarit

schedule16:55 - 25 Prill, 2021

schedule 16:55 - 25 Prill, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pasi takoi qytetarë në Elbasan dhe i ftoi që të votojnë, shkoi në qytetin e Durrësit. Duke folur për mediat nga Durrësi, Basha u bëri edhe një herë qytetarëve thirrje që të dalin dhe të votojnë.

Atyre që kanë votuar tashmë, lideri demokrat u bëri apel që të trokasin në dyert e atyre që nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre ende dhe t’i ftojnë që të votojnë.

“Së pari dua t’ju jap një përshëndetje të gjithë durrsakeve dhe durrsakëve, të gjithë banorët e qarkut të Durrësit që kanë dalë dhe kanë votuar deri tani. Dua t’ju them shkoni dhe flisni në dyert e atyre që s’kanë votuar merrini, çojini në kutitë e votimit. Kjo është dita juaj, është dita e familjeve tuaja, është dita e vendit tuaj, është dita e Durrësit tuaj. Të gjithë masivisht, edhe dy orë e gjysmë mbyllen kutitë të gjithë masivisht drejt kutive të votimit. Dimri po merr fund, dielli po shkëlqen. Të mos mbetet askush pa votuar. Të gjithë drejt kutive të votimit….. Kush ka nevojë për asistencë, të dashur qytetarë të Durrësit ndihmojini nëse janë të moshuar, të rinj, të reja, ndihmojini, çojini në qendrat e votimit. Të gjithë drejt kutive të votimit. Kjo është dita e shqiptarëve, kjo është dita e qytetarëve.”

Kurse. ndërsa ndodhej në Elbasan, Basha u bëri qytetarëve një tjetër thirrje që të dalin dhe të votojnë për të ardhmen e tyre, pasi, shtoi ai, kjo është dita e tyre.

Lideri demokrat u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e deritanishme, por apeloi se të gjithë ata që nuk kanë votuar akoma, të drejtohen drejt qendrave të votimit.

“Pas orarit të drekës familjare, të bukur dhe me diell të dalin të votojnë masivisht. Ka një pjesëmarrje shumë të mirë, por ka akoma qytetarë që duhet t’u drejtohen kutive të votimit, dhe thirrja ime është mos prisni një shans të dytë, masivisht në kutitë e votimit, kanë mbetur edhe tre orë e gjysmë. Kjo është dita juaj, dita e fuqisë suaj me votën tuaj. Ju falënderoj si media për mbulimin.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!