Pas Tahirit edhe Çela ankimon zgjatjen e hetimeve

schedule13:30 - 30 Janar, 2019

schedule 13:30 - 30 Janar, 2019

Nga arratia, ish-shefi i Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, i akuzuar si garantor i grupit të “Habilajve” kërkon mbylljen e hetimit. Përmes avokatit, ai kundështoi në gjykatë shtyrjen e hetimit.  Ndërkohë në 6 shkurt, Krimet e Rënda pritet të shqyrtojnë kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kundër zgjatjes së afatit të hetimit.

Nga arratia ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit ka kundështuar zgjatjen e afatit të hetimit ndaj tij. Përmes avokatit të tij, Çela i kërkoi gjykatës të shfuqizonte vendimin e prokurorisë për shtyrjen e afatit dhe të vendoste përfundimin e hetimit.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit Dritan Prenci, me argumentin e ruajtjes së sekretit hetimor. Burime të rezervuara bënë me dije se prokurori kërkoi rrëzimin e kërkesës. Pas njohjes me pretendimet e palëve, gjykata shtyu seancën për në 11 Shkurt.

Nga ana tjetër në 6 shkuar një tjetër trupë gjykuese pritet të shqyrtojë ankimin e bërë nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kundër zgjatjes së afatit.  Sipas Tahirit, vendimi i datës 17 janar 2019 për zgjatjen e hetimit është i pabazuar në ligj dhe në prova dhe ka si qëllim zvarritjen e hetimit dhe vonimin e dhënies së drejtësisë.

Përveç ish-ministrit Tahiri dhe ish-shefit të Policisë së Vlorës, Jaeld  Ccela, prokuroria nuk ka përfunduar hetimin as për dy ish-zyrtarët e tjerë të policisë të shpallur në kërkim, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila. Sipas prokurorisë për Krimet e Rënda, ata kanë mbështetur dhe bashkëpunuar me anëtarët e grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. /abcnews.al