Pas studentëve, në protestë dhe pedagogët e Fakultetit Histori-Filologji

schedule16:41 - 18 Janar, 2019

schedule 16:41 - 18 Janar, 2019

Të hënën pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë do të dalin në protestë kundër ligjit për arsimin e lartë dhe në mbështetje të studentëve. Ndërkohë studentët e Fakultetit të Drejtësisë vijojnë të jenë të përçarë. Të ngujuarit paralajmërojnë deri grevë urie.

Pas studentëve në protestë do të dalin edhe pedagogët. Asambleja e Fakultetit të Histori-Filologjisë ka marrë këtë vendim unanim, të cilin do ta vërë në zbatim ditën e hënë.

Marku: “Nuk ka pasur asnjë nga pedagogët pjesëmarrës të asamblesë që të jenë kundër një proteste paralajëmruese njëditore, hapat e tjerë do përcaktohen në përputhje me dinamikën e zhvillimit”.

Pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mbështesin kërkesat e studentëve, kërkojnë shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë dhe shohin me shqetësim vendimet e marra nga qeveria në fund të dhjetorit të vitit të shkuar.

Marku: “Pezullojnë edhe pak autonomi të universiteteve që kanë ekzistuar deri tani përmes ligjit, kërkojmë abrogimin e ligjit”.

Shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë më herët e ka kërkuar dhe Asambleja e Fakultetit të Shkencave Sociale e cila gjithashtu është shprehur për hapjen e një debati të gjerë mes palëve të interesuara për modelin e universitetit publik në Shqipëri.

Pedagogët pjesë e saj janë rreshtuar krah studentëve të cilët vijojnë të bojkojnë mësimin.

Ndryshe nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Fakultetin e Drejtësisë studentët vijojnë të jenë të përçarë.

Këtë të premte studentët e ngujuar dolën nga auditori ku po qëndrojnë për t’i treguar pjesës tjetër që kërkon të nisë mësimi sesa prej tyre janë kundër bojkotit.

“Kjo ishte një mënyrë për të treguar se ne jemi shumica, shumica fiton dhe pakica i nënshtrohet. Dekani mund të ketë marrë disa firma, është peticion i pavlefshëm aty janë dhe emrat tanë që jemi ngujuar këtu. Nëse pikat tona s’plotësohen do vazhdojmë masa ekstreme”.

Ndërkohë që një tjetër grup studentësh vijon të mbledhë firma për t’i dërguar në Dekanat me qëllim filllimin e leksioneve dhe seminarëve.

“Ne ditën e hënë do mbledhim firma për të kërkuar vijimin e mësimit normalisht. Ne kërkojmë të hapet dera, ato le ta vazhdojnë bojkotin, por mos të bllokojnë procesin mësimor, nëse ne kërkojmë 8 pikat është baraz me zhvillimin e mësimit jo baraz me bojkot kurrë. Problem janë dhe studentët nga rrethet, se prindërit e tyre nuk mund të mbulojnë shpenzimet që fëmijët të rrinë kot në Tiranë”.

Bojkoti i mësimit po vijon edhe në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Histori-Filologjisë dhe Univerisitetin Politeknik në Tiranë. /abcnews.al