Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një vijë kufitare prej 151 kilometrash, por ndoshta pjesa më e bukur e saj është zona e Prespës. Vija e kufirit është gjithashtu heterogjene, me pakicën maqedonase në anën e Shqipërisë, me disa fshatra të mbledhura në bashkinë e Pustecit apo Liqenasit siç quhej dikur, dhe në pjesën e Resnjës brenda Maqedonisë së Veriut, ku fshatrat janë të përziera, disa shqiptare, disa maqedonase apo të përziera.
Në liqen kufijtë krijojnë një trekëndësh kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë me dy ishuj, Golem Grad, ishulli i madh që është pjesë e Maqedonisë së Veriut, dhe Maligrad, që është ishulli më i vogël, pjesë e Shqipërisë. Prespa e Vogël ndodhet në bregun perëndimor të liqenit, në skajin juglindor të Shqipërisë brenda qarkut të Korçës dhe në kufi me bashkitë e Pogradecit dhe Devollit.
Ivana Velovska, edhe pse në moshë të thyer, punon ende në ara.
“Me shqiptaret jetojmë më së miri”, na thotë, ndërsa i biri, Adi Velovski, është shumë i lidhur me shqiptarët.
“Shkojmë e vijmë përtej kufirit, kush punon, duhet të jetë i kenaqur”, na thotë ai.
Lefterko Nikolla ka tjetër hall, bukur është në Prespë, por liqeni po “ikën…”.
“Ca ikën në Ohër, ca ikën se nuk bie borë…”, na thotë.
Për të, Shqipëria është vendi ku jetojnë dhe siç na thotë, “Shqipërinë e duam”.
Beri Rozhani është një tjetër banor i Goricës, dhe siç na thotë, “I do me gjithë zemër shqiptarët”.
“Vetem shqiptari të ndihmon sot”, na thotë me sy të përlotur.
Argjir Sterjo e ka gruan shqiptare, por nuk do që t’i thonë, je nga fshati i gruas. Tregon se gruaja e tij shqiptare është mbështetja më e madhe për të. “Nuk na erdhi leku sot, do vije nesër, më thotë gruaja.”
Në anën tjetër të kufirit, Resnja ku shqiptarët flasin në dialektin tosk. Një vajzë e vogël shqiptare na shpjegon dallimin midis gegëve dhe toskëve, pikërisht këtu ku është edhe vija ndarëse mes tyre.
“Gegët llafosin me hundë, toskët me gojë..,” na thotë duke shkaktuar të qeshura tek prindërit e saj, gegë dhe toskë. Zani Ademi, në fshatin Asamat të Prespës, tregon se shumica e banorëve kanë shkuar në kurbet. Ndërsa Genti Mehmeti është dhëndër në Durrës.
Megjithatë, “prespanët janë më të bukura se durrsaket”, na thotë.
Në komunën e Resnjës, shqiptarët janë shumicë në gjashtë fshatra, Arvat, Asamat, Bollocërkë e Sipërme, Gërçar, Kranjë dhe Nakolec. Shumica e shqiptarëve kanë emigruar për shkak të vështirësive ekonomike në Australi, Kanada, SHBA, vendet skandinave dhe në në pjesë së tjera të Evropës Perëndimore.