“N’kufi”/ Qafa e Morinës, nga Bajram Curri në Gjakovë, vllazën të një gjaku

schedule18:36 - 22 Shtator, 2024

schedule 18:36 - 22 Shtator, 2024

Qafa e Morinës është një pikë malore kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës afër Tropojës së vjetër. Ndodhet 22 km larg nga qyteti i Gjakovës në rrugën Gjakovë-Bajram Curr dhe është Pikë Kalim Kufitar i kategorisë B. Kjo pikë kalimi është e hapur për kalimin e njerëzve, automjeteve dhe mallrave në një terren kodrinor-malor.

Pika kufitare e Qafë Morinës operon në kohë të plotë. Pjesa më e madhe e kalimeve në këtë pikë kufitare është nga banorët e zonës kufitare dhe turistët vendas e të huaj, që vizitojnë kryesisht Luginën e Valbonës dhe lumin e Shalës. Dy qytetet kufitare janë Bajram Curri dhe Gjakova, me një lidhje historike që ndjehet në të gjithë zonën.

Është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë që është bërë gjithnjë e më e hapur dhe e arritshme ndërkohë që zhvillohet infrastruktura, veçanërisht ajo rrugore. Banorët kanë hapur bujtinat që përveç bukurisë natyrore dhe klimës së freskët në verë, të ofrojnë mbi të gjitha mikpritjen tipike shqiptare.
Shtëpia e shqiptarit, është e Zotit dhe e mikut. Jemi vllazen të një gjaku, na thonë banorët në të dyja anët e kufirit.

Lumi i Shalës, në gji të bjeshkëve, çan tej përtej në Malësinë e Gjakovës. Driton Selimi nga Vitia, ka ardhur nga Zvicra dhe e dashuron këtë lumë.

“Nuk kam parë të tilla bukuri askund,” na thotë në varkën që rrëshqet butë mbi ujin e kristaltë. Bukuri natyrore e mrekullueshme, thotë Yllka Selimi, nga Kosova.

Edhe Rrustem Gashi nga Gjakova shkon shpesh në Shalë. “Na e kanë zili këtë pasuri natyrore”, thotë Gashi, duke shtuar se “nuk ka më bujarë dhe mikpritës se Malësia e Gjakovës”.

Ramë Gjecaj që ka ardhur nga Tropoja këtu me familjen, dëshiron më shumë bujtina dhe zhvillim. Krenar për vendin e tij, Gjecaj thotë: “Ne tropojanët, jemi si Labëria, na e ka dhënë Zoti”.

Më tej, Valbona, që iu ka dhënë emrin kaq shumë vajzave. Uji i kristaltë, mes gurëve të bjeshkëve, të fton me shumë dashuri në një përhumbje të ëmbël që të çon pas në kohë.

Shkojmë drejt Bajram Currit, ku shqiptarët kanë ndihmuar vëllezërit e tyre përtej kufirit në kohë të këqija. Mire Ismajlaj e ka martuar vajzën në Prishtinë ndërsa Guxim Sokolaj na thotë se tropojanët i bëjnë pazaret në Gjakovë. Ali Rrustem Hajdaraj na tregon sesi ndihmuan shqiptarët e Kosovës me gjithçka kishin.

Asllan Gjuriqi kujton me dhimbje kohën e luftës dhe vuajtjet që u shkaktoi shqiptarëve të Kosovës. Shkojmë në Gjakovë, qytetin e bukur ku e shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë ëmbël dhe me krenari. Shpejtim Skivjani është mirënjohës për atë që ka bërë Shqipëria.

“Na keni hapur dyert, ajo është merita me e madhe”, na thotë.

Bujar Bakalli është i kënaqur që kufiri është bërë i padukshëm, por do të donte të mos ishte fare…Në Gjakovë jeton edhe stërnipi i Bajram Currit, Blend Curri, që gjatë luftës ka qëndruar në Shkodër te vajza e Bajram Currit, halla Hajrije.

“Plakë burrneshë, flinte me pistoletë nën jastëk”, thotë me krenari stërnipi i Bajram Currit.
Arbnore dhe Artan Bunjaku i kalojnë fundjavat në Shalë dhe Valbonë, ndërsa vajza e tyre Perla ka lindur në Tiranë. Perla është gjakovare, edhe “tironse”.

Kufiri pa kufi, është lehtësuar kalimi në të dyja anët, i hapur për të gjithë shqiptarët, na thotë Lorik Lipoveci, babai i të cilit ka qenë para shumë dekadash mësues në një fshat të Pukës.
Dhe në fund, nuk mund të mbyllej ndryshe përveçse me dasmën shqiptare, ku flamuri kuq e zi, i prin karvanit të dasmorëve.

“Jemi vllazën të një gjaku”, është lejtmotivi i Malësisë së Gjakovës./abcnews.al