Pas fitores në zgjedhje, Erdogan merr mesazhe urimi nga aleatët dhe BE

schedule17:42 - 25 Qershor, 2018

schedule 17:42 - 25 Qershor, 2018

Presidenti i Turqisë, Erdogan ka marrë mesazhe urimi nga shumë liderë dhe Bashkimi Europian. Ndërsa SHBA nuk ka dhënë ende asnjë prononcim për fitoren e Erdogan në zgjedhjet e djeshme.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, arriti të sigurojë një fitore të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Megjithatë ky sukses i tij nuk është pëlqyer nga disa vende të ndryshme. Por aleatët e tij nuk kanë ngurruar në urimet e tyre për mandatin e ri 5-vjeçar. Aleati i tij më I afërt, presidenti rus Vladimir Putin ka përgëzuar kreun e shtetit të Turqisë për suksesin e tij dhe nënvizoi në një deklaratë se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë plotësisht autoritetin politik të Presidentit Erdoan. Në një reagim nga Bashkimi Europian, në lidhje me zgjedhjet në Turqi është vënë theksi “në vazhdimin e bashkëpunimit me Turqinë” në çështje të rëndësishme si emigracioni, siguria, stabiliteti rajonal dhe lufta kundër terrorizmit. Më herët Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe ai I Bullgarisë, Bojko Borisov përgëzuan Erdogan. Një mesazh urimi, atij I ka mbërritur edhe nga ministri I jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Por triumfi i tij nuk është pritur me aq shumë entuziazëm nga SHBA e Donald Trump, që shpresonte për një rezultat tjetër në këto zgjedhje. Nga Uashingtoni nuk ka dalë asnjë mesazh lidhur me zhvillimet në Turqi. Ndër liderët e tjerë të botës që e kanë uruar presidentin Erdogan për fitoren janë: presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, autoritetet e Katarit, Palestinës, Azerbajxhanit e shumë të tjerë. Ndërsa, sa i përket Ballkanit, kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti kosovar Hashim Thaçi, ai maqedonas Ivanov, ai serb Aleksandër Vuçiç si dhe autoritetet e Bosnjë Hercegovinës bëjnë pjesë në vendet që kanë uruar presidentin Erdogan për fitoren e arritur në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!