Pas djegies së mandateve, Basha takim me PPE në Vjenë

schedule12:49 - 22 Shkurt, 2019

schedule 12:49 - 22 Shkurt, 2019

Një ditë pas protestës në shesh dhe dorëzimit të mandateve të deputetëve opozitarë në Kuvend, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua sot në Vjenë me anëtarë të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Në qendër të diskutimeve njoftohet të ketë qenë situata politike në Shqipëri, që sipas zyrës së medias pranë selisë blu, është cilësuar shqetësuese nga grupi i Partive Popullore Europiane në OSBE.

Përmes  një postimi në rrjetin social Twitter, ky grupim ka bërë të ditur se raportimi i kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë ka patur në fokus protestat kundër qeverisë socialiste, korrupsionin, trafikun e drogës dhe zhvillimet jodemokratike në vend.

Pjesëmarrës në seancën e posaçme dëgjimore ishin edhe anëtarë të Kongresit dhe Senatit amerikan. Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, kreu i opozitës ka zhvilluar takime edhe me drejtues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare, me qëllim shpjegimin e situatës politike në Shqipëri./abcnews.al