Pas dështimit të seancës parlamentare Kurti injoron mediat, politologu: Dikur kërkonte transparencë, sot s’ka çfarë të thotë

schedule17:30 - 23 Prill, 2025

schedule 17:30 - 23 Prill, 2025

Edhe këtë të mërkurë seanca parlamentare dështoi pa arritur një konsensus dhe një marrëveshje mes partive politike. Pas përfundimit të seancës gazetarët pritën jashtë dyerve të Kuvendit të Kosovës që kreu i Vetëvendosjes të jepte një deklaratë për mediat.

Por, Albin Kurti refuzoi dhe injoroi mediat. Pas kësaj gazetarët në shenjë revolte lëshuan mikrofonat në tokë. Gjesti i Kurtit u cilësua si i gabuar dhe është kritikuar mjaft nga qytetarët, politikanët, gazetarët dhe analistët.

Politologu Albinot Maloku në “Balkan Update” në ABC News tha se veprimi i Kurtit ishte një ofendim jo vetëm për median, por dhe për qytetarët. Albinot Maloku shton se Kurti më parë bënte thirrje për transparencë, kurse sot refuzon të flasë sepse në të vërtet nuk di se çfarë shpjegimi të japë.

“Injorimi i medias dhe gazetarëve nuk ka qenë një praktikë në Republikën e Kosovës. Ky është një ofendim jo vetëm për mediat, por dhe një ofendim për qytetarët e Kosovës. Albin Kurti duhet të jepte shpjegime, pas dështimit të seancës parlamentare. Kurti më parë bënte thirrje për transparencë kurse tani nuk ka se çfarë të thotë dhe për rrjedhojë nuk flet. Ai që për shumë kohë ka tentuar që të jetë një njeri i popullit, ndërkohë sot është një kryeministër i tërhequr që lëviz me shumë roje. Për mendimin tim kjo është mosrespektim për mediat, ai ka një luftë me mediat. Është një praktikë shumë e keqe dhe shpresoj që t’i japë fund kësaj lloj praktike”, tha politologu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!