Partizani synon përmirësim në sulm e në mbrojtje

schedule14:33 - 6 Korrik, 2019

schedule 14:33 - 6 Korrik, 2019

Trajneri i Partizanit po punon paralelisht me mbrojtjen dhe me sulmin, në prag të ndeshjeve në Europë. Italiani ende nuk është i kënaqur me nivelin e lojës, ndërsa shumë futbollistë të rinj duhet të përshtaten me ekipin.

Afrimi i Championsit po e rrit edhe më shumë shqetësimin. Partizani ende nuk është plotësisht gati dhe trajneri Franko Lerda nuk dëshiron të humbasë kohë.

Pas kthimit nga Sllovenia, pas ngarkesave të rënda dhe ndeshjeve miqësore, erdhi koha për t’u dhënë dorën e fundit përgatitjeve, sidomos atyre taktike, ndaj italiani punoi paralelisht në stërvitje, me mbrojtjen në një krah, si dhe me sulmin e mesfushën.

Ai deshi të kishte qetësi absolute, ndaj edhe e mbylli totalisht seancën stërvitore ndaj kamerave apo fotoaparateve. Me skuadrën të ndarë në dy grupe, Lerda u përqëndruar fillimisht tek mbrojtja, ende i shqetësuar nga golat e pësuar në miqësoret ndaj Sarajevos dhe Murës.

Me largimin e Lum Rexhepit, frika më e madhe është për qendrën e mbrojtjes, ku ka pak alternativa, vetëm Bitri me Belicën. Në kohën që punohej taktikisht me prapavijën, pjesa tjetër vazhdonte ushtrimet përkatëse, dhe trajneri u bashkua me mesfushorët dhe sulmuesit në gjysmën e dytë të seancës.

Nuk dihet sesa gati do të jetë kampionia e Shqipërisë për ndeshjet e Championsit ndaj Karabakut të Azerbajxhanit, përballje që nisin javën e ardhshme, kjo edhe sepse në ekip ka ndryshime.

Janë afruar portiere Aldo Teqja, mesfushori Romero, mbrojtës si Melo e Hakaj, mesfushorët Broja e Romero apo sulmuesit Jozef Ekuban e Solomon. Labinot Ibrahimi, ashtu si Egzon Belica kanë rinovuar kontratat, ndërsa janë larguar jo pak lojtarë. Nga sezoni i kaluar nuk janë Lum Rexhepi, si Atanda, Duka, Hebaj e Hila./ABC News Albania 24/7