Partizani shkëputet në 5 pikë nga vendi i dytë në Superligë

schedule22:06 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 22:06 - 8 Dhjetor, 2018

Partizani mori një pikë shumë të rëndësishme në Durrës dhe u shkëput në pesë pikë nga vendi i dytë në Superligë. Kryeqytetasit u vunë në vështirësi të madhe nga Teuta vendase.

Mund të kishte përfunduar edhe më keq. Partizani kaloi një të shtunë tepër të vështirë në Durrës, dhe më shumë sesa për faj të motit, kjo për shkak të një Teute që mund ta kishte merituar edhe fitoren. Gjithsesi, vendasit u detyruan të kënaqeshin me barazimin, që i lejoi të paktën të mbeteshin pranë vendeve të parë të Superligës.
Kryeqytetasit, ndërkaq, mund të jenë të kënaqur, sepse morën diçka më shumë sesa meritonin për atë që dhanë në fushë, ndërsa u shkëputën edhe pak nga vendi i dytë, Skënderbeu.

Pesë pikë nuk janë shumë, por në një kampionat tepër të vështirë, dhe me një skuadër më pak cilësore sesa vitet e fundit, trajneri Skënder Gega mund të ndihet mirë. Durrsakët kaluan të parët në epërsi, madje që në minutën e 8-të me anë të Gashit. Të kuqtë u përgjigjën me presion dhe luajtën më mirë në pjesën e parë, por e patën të vështirë pas pushimit. Çfarë ndodhi me lojtarët e Gegës?

U duk se lojtarët e Teutës u përshtatën më mirë në terrenin e rënduar, kjo besohet për shkak të cilësive më të larta fizike, por edhe të vullnetit për të fituar në stadiumin e tyre. Sidoqoftë, ironia e futbollit është e tillë që ndonjëherë kur luan mirë, e pëson. Në pjesën e dytë, golin e shënoi Partizanin, një rrjetë shumë të bukur me anë të Asanit, ndoshta mënyra e vetme për t’ia dalë ndaj mbrojtjes durrsake dhe portierit Hidi. Në fund, miqtë iu falën portierit Alban Hoxha, i cili bëri disa pritje shpëtuese, ndonëse në sekondat e fundit, bëri një dalje që mund t’i kishte kushtuar shtrenjtë. Pas 16 javësh Superligë, Partizani kryeson me 35 pikë, ndërsa Teuta është në vend të katërt me 29./abcnews.al