Partizani përgatitet në Turqi, i uron ditëlindjen presidentit Demi

schedule20:47 - 11 Janar, 2018

schedule 20:47 - 11 Janar, 2018

Partizani shpreson të jetë gati për fazën e dytë të sezonit, ndërsa vazhdojnë përgatitjet në Antalia. Me skuadrën janë afruar disa lojtarë, ndërsa pritet miqësorja me turqit e Kasëmpashait.

Përpara punës duhej bërë një urim.
Ishte ditëlindja e presidentit Gazmend Demi dhe Partizani nuk mund të mos e festonte.
Pavarësisht nga distanca e madhe Antalia-Tiranë, urimi u bë siç duhet, madje edhe me një tortë.
Më pas puna, edhe në palestër, edhe në fushën e madhe në natyrë, në kompleksin e Turqisë së jugut.

Trajneri Starova me siguri duhet të jetë gëzuar që skuadrës nisën t’i afroheshin edhe përforcimet e para.
Me grupin u bashkua braziliani Lukas, një sulmues 23-vjeçar, por edhe mbrojtësi Egzon Belica, 27-vjeçari shqiptar nga Maqedonia që ka luajtur së fundmi në Finlandë.
Starova dhe ndihmësit e tij kanë edhe një tjetër futbollist në provë, senegalezin Ahmet Fal, dhe shpresojnë që afrikani t’i bindë në mënyrë që skuadra të ketë më shumë alternativa.
Partizani po punon prej tri ditësh në Antalia, ndërsa Starova ka deklaruar se e pret një punë e vështirë për shkak të ndryshimeve të mëdha të bëra në ekip në dhjetor dhe në janar.

Gjithsesi, trajneri mbetet optimist për kualifikimin në Europë dhe për fitimin e Kupës së Shqipërisë. Kryeqytetasit do të kenë ndërkaq, edhe miqësoren e parë, atë ndaj ekipit të Superligës së Turqisë, Kasëmpasha, pikërisht pasditen e kësaj të premteje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!