Partizani ka ndryshim rrënjësor që pas ardhjes së Olsi Ramës si drejtor sportiv. Skuadra është pranë Europës, ndërsa mbetet mister arsyeja që e detyroi vëllanë e Kryeministrit që të bëhej pjesë e klubit.
Kishte kohë që flitej se ishte pjesë e projektit. Olsi Rama ishte emri i artikuluar më shumë tek Partizani, dhe si për t’i vërtetuar ato që thuheshin, vendosi të bëhej zyrtarisht i kuq.
Drejtori i sotëm sportiv vlerësohet nga burime pranë klubit si njeriu me ndikimin kryesor tek ndryshimi thuajse i plotë i kryeqytetasve javët e fundit.
Pasi mori licencën nga Federata Shqiptare e Futbollit, nisi shfaqej thuajse përditë në stërvitje, dhe po ashtu në konferencat për shtyp, duke lënë në hije Luçiano Moxhin, apo drejtorin tjetër, Antonelo Preitin.
Besohet se ka qenë ai kryesori në largimin e trajnerit Starova, dhe caktimin në vend të tij të ish-ndihmësit Klevis Dalipi, ndërsa rezultatet e javëve të fundit duket se i japin plotësisht të drejtë.
Fitoret janë tre në 4 sfidat e fundit, ekipi është ngjitur në vend të tretë, ndërsa synohet edhe vendi I dytë që normalisht të çon në Champions.
Largimi i Starovës ka qetësuar ambientin, mendohet të dëmtuar për shkak të sjelljes agresive të ish-trajnerit me futbollistët.
Përse Rama është kaq i rëndësishëm te 18 herë kampionët?
Flitet se ai ka aksione, ndërsa drejtori përgjigjet kështu.
Gjithsesi, burime pranë klubit pohojnë se lidhja e tij me Partizanin nuk është thjesht teknike, ndërsa thuhet se zoti Rama gjykoi se mund të ndikonte për të rikthyer ekipin në shina, vetëm duke qenë vetë në krye të punëve.
Kjo edhe po ndodh, ndërsa kualifikimi për në Europë cilësohet vetëm minimumi i kërkuar për të justifikuar shpenzimet e mëdha të sezonit.
Emra të Moxhi, Iuliano, Preiti apo Edgar Çani kanë pasur kosto vërtet të lartë, që duhet justifikuar.
Shqetësimi tjetër i tifozëve është lidhur me kompleksin sportiv, i cili ka nisur prej kohësh, por ende nuk ka përfunduar.
Ngërçi besohet se ka të bëjë me llojin e kontratës me kompaninë që po e ndërton, ndërsa thuhet se do të zgjidhet shpejt.
Punimet pritet të nisin këto ditë dhe kompleksi të jetë gati shumë shpejt. /abcnews.al