Partia Socialiste, rrugëtimi i emërtimeve nga themelimi deri më sot

schedule16:08 - 12 Qershor, 2018

schedule 16:08 - 12 Qershor, 2018

Rrugëtimi i forcës politike kryesore në kahun e majtë është shoqëruar me jo pak emërtime që nga themelimi i saj e deri në përkufizimin final të sotëm, Partia Socialiste. Ndryshimet shoqëruan jo vetëm emrin e saj, po dhe mënyrën e organizimit, rregullat dhe siglën e saj.

Socialistët e sotëm përfaqësojnë partinë më të vjetër në Shqipëri. Në 8 Nëntor të vitit 1941 u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë.

7 vjet më pas më vitin 1948, Stalini do të sugjeronte ndryshimin e emrit nga Parti Komuniste në Parti e Punës e Shqipërisë.

Emër, të cilin do ta mbante deri në vitin 1991. Era e ndryshimeve u diktoi komunistëve se duhet të shkëputeshin nga e djeshmja dhe për këtë nuk ishte e domosdoshme të formonin parti të re, por t’i ndryshonin vetëm emrin.

Ky është kongresi i 10-të i PPSH-së.

Në audion e regjistruar nga ai kongres tregohet momenti votimit të anëtarëve të Partisë për ndërrimin e emrit nga Parti e Punës në Partia Socialiste e Shqipërisë.

Kryetar i partisë së riemëruar u zgjodh Fatos Nano, një nëpunës i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, institucion që drejtohej nga Nexhmije Hoxha.

Mbledhja u vëzhgua nga udhëheqësi i fundit i sistemit komunist Ramiz Alia.

Pas humbjeve të zgjedhjeve parlamentare në 22 Mars të vitit 1992, Partia Socialiste nisi përpjekjet për tu distancuar nga e shkuara e saj. Në kongresin e parë që u mbajt në atë vit, Fatos Nano rizgjidhet në krye të Partisë Socialiste, të cilën do ta drejtonte për 14 vite me radhë, katër prej të cilave nga burgu.

Dielli e stuhia e kanë shoqëruar Partinë Socialiste gjatë këtyre viteve. Në vitin 2004, socialistët nuk qëndruan më të bashkuar. Ilir Meta largohet duke marrë pas vetes një grup deputetësh. Pas kësaj, shqiptarët kishin dy alternativa zgjedhje të politikës së majtë, Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës.

Ndarja shkaktoi humbjen PS-së të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Fatos Nano dorëhiqet dhe në vend të tij u zgjodh Edi Rama.

Kryetari i ri i Partisë Socialiste do të sillte ndryshime të dukshme. Që në mandatin e tij të parë në opozitë, Edi Rama largoi shumë prej ish-drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie. Në vitin 2007 në mbledhjen e KPD-së u vendos ndryshimin e emrit të këtij formumi në Asambleja Kombëtare e PS-së.

Edi Rama do të fitonte çdo garë për postin e kryetarit, disa prej të cilave do të kontestoheshin nga vetë socialistët.

Më 1 Prill të vitit 2013, u krijua Rilindja. Partia Socialiste del në fushatën e zgjedhjeve me një imazh të ri. Simbolet e selisë e flamuri shndërrohen nga rozë në vjollcë. Madje me vendim gjykate edhe emri ndryshon nga PSSH në PS. Partitë e majta bashkohen dhe fitojnë zgjedhjet e 23 Qershorit të atij viti.

Rilindja vazhdon të qeverisë edhe sot, por e vetme pa asnjë parti të majtë në krah. Kryetari i ndryshimeve vazhdon të jetë i njëjti , Edi Rama që e ka uruar ditëlindjen e 27 të Partisë Socialiste me një vizatim, ndoshta të tijin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!