Parlamenti spanjoll “rrëzon” Kryeministrin Rajoy

schedule12:05 - 1 Qershor, 2018

schedule 12:05 - 1 Qershor, 2018

Pedro Sanchez është kryeministri i ri i Spanjës pasi parlamenti votoi për shkarkimin e kryeministrit Rajoy, pas skandalit ku u përfshi partia e tij dhe figura të rëndësishme të saj. Kjo ëshët hera e parë në historinë e Spanjës që një qeveri rrëzohet nga opozita.

Edhe Spanja ashtu si Italia do të ketë një qeveri të re. Parlamenti spanjoll ka votuar për shkarkimin nga posti i kryeministrit të Mariano Rajoy liderit të Partisë popullore. Deputetët mbështetën në këtë mënyrë mocionine votëbesimit të prezantuar nga socialistët e PSOE-së pas skandalit Gurtel, ku u përfshinë figura të rëndësishme të partisë popullore të cilët u dënuan me burg. Mocioni ashtu si ishte paralajmëruar mori 180 vota nga 350 duke bërë që për herë të parë në historinë e Spanjës, të rrëzohet një qeveri nga opozita.

Rezultati i votimit u certifikua nga kryetarja e parlamentit, Ana Pastor, e cila duhet ti komunikojë dhe mbretit Felipe VI, që tashmë do të jetë lideri socialist Pedro Sanchez, kryeministri i ri i vendit. Përveç socialistëve pro shkarkimit të Rajoy votuan dhe deputetët e Podemos, si dhe grupe të tjera të vogla parlamentare si dhe deputetët katalanas. Por vendimtare ishte vota e Partisë Kombëtare Baske, e cila me pesë deputetët e saj bëri të mundur që të mblidheshin 180 votat që duheshin.

Menjëherë pas konfirmimit të rezultatit të votimit në parlament, tashmë kryeministri i ri spanjoll Sanchez e komentoi si hapjen e një faqeje të re në historinë e vendit, ndërsa ekzekutivi i ri, sipas tij, do të ndërtohet mbi modelin e atij të Hoze Luis Zapatero.

Sanchez premtoi se qeveria e tij do të respektojë detyrimet ndaj Europës si dhe do të dëgjojë zërin e Katalonjës. Rajoy ishte i pari që uroi pasardhësin e tij para votimit duke parashikuar atë që do ndodhte. Ai u shpreh se pranonte rezultatin dhe se kishte qenë një nder për të, të ishte kryeministri i vendit dhe të linte pas një Spanjë më të mirë.

E vetmja lëvizje që do të kishte mundur të ndryshonte skenarin, do të kishte qenë dorëheqja e Rajoi, duke bllokuar kështu mocionin e votëbesimit, dhe duke dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme. Në radhët e Partisë Popullore tashmë po diskutohet se kush do të zëvendësojë Rajoy në postin e kryetarit./abcnews.al