Parlamenti i Maqedonisë miraton kërkesën e gjykatës

schedule17:34 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 17:34 - 1 Dhjetor, 2017

Parlamenti maqedonas ka miratuar kërkesën e gjykatës në Shkup për heqjen e imunitetit të 6 deputetëve të arrestuar për ngjarjet e dhunshme në kuvend në prill të këtij viti. VMRO-DPMNE ka bojkotuar seancën.

Me shumicë votash, parlamenti i Maqedonisë miratoi kërkesën e Gjykatës Themelore të Shkupit për heqjen e imunitetit të 6 deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partive në koalicion, Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski. Prezent në seancë ishin 67 deputetë dhe vendimet u miratuan në mënyrë unanime.

Seanca nisi pa praninë e opozitës, ndërsa parlamenti vendoste për heqjen e imunitetit për gjashtë deputetët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, në paraburgim për ngjarjet e 27 prillit në Parlament. Për heqjen e imunitetit nevojitej shumicë e thjeshtë prej 61 votash.

Por pavarësisht heqjes së imunitetit, sipas kushtetutës ata mbeten sërish në funksionin e deputetit deri në momentin që vendimi i gjykatës nuk bëhet i plotfuqishëm.
Gjashtë deputetët janë ndër 36 të arrestuarve të cilët Prokuroria Themelore Publike i akuzon për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!