Parlamenti holandez ka votuar pasditen e së mërkurës kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Mocioni i propozuar nga tre ligjvënës ka kaluar me 105 vota kundër nga 150 mandate që ka Parlamenti holandez. Kundër hapjes së negociatave dolën 3 parti të mazhorancës, përfshirë atë të kryeministrit Mark Rute, si dhe 6 parti të opozitës.
Në seancën e zhvilluar u tha se Shqipëria nuk ka arritur rezultate të mjaftueshme e të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke cituar edhe konstatimet në raportin e progresit, Parlamenti vendosi se Shqipëria nuk plotëson kushtet e duhura. Rrjedhimisht, ligjvënësit i bënë thirrje qeverisë holandeze që të mos bjerë dakord me propozimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave.
Një mocion i ngjashëm kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut nuk mori numrin e nevojshëm të votave PRO, duke bërë që fqinjit tonë t’i hapet drita jeshile e negociatave./ABC News Albania 24/7