Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.
Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërko masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, shkruan REL.
“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç – ish-kryetari i dorëhequr tashmë i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjet e Beogradit zyrtar – por Kosova ngul këmbë se shteti serb qëndron pas sulmit.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. BE-ja kishte vlerësuar se Kosova nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.