Paris Sg dominon financiarisht Ligën franceze

schedule14:47 - 6 Shkurt, 2018

schedule 14:47 - 6 Shkurt, 2018

Paris Sen Zhermeni dominon financiarisht ligën franceze të futbollit. Sheikët japin rroga marramendëse, ku në vend të parë është braziliani Nejmar

Erdhi që të ishte i veçanti i kësaj lige.

Kampionat francez nuk ka asnjë të ngjashëm me Nejmarin, thuajse në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Superylli brazilian, që pretendon të bëhet futbollisti numër 1 i botës, e ka fituar të paktën renditjen e rrogave në Francë.

Paris SG i jep atij 3.06 milionë euro, që do të thonë 36.8 milionë euro në sezon.

A mjafton kjo, që Nejmar të jetë lojtari më i paguar në botë?

I vetmi që e konkurron është ish-shoku i tij tek Barcelona, Lionel Mesi, që fiton pak a shumë po kaq.

Numri 10 është i veçantë edhe brenda skuadrës se tij, jo më në raport me gjithë kampionatin.

Dy lojtarët pas tij në renditjen e pagave janë Edinson Kavani dhe Kilian Mbape, që të dy të PSG-së.

Kavani, rekordmeni i golave në klub, fiton 18.5 milionë euro në sezon, ndërsa Mbape arrin deri në 18 milionë.

Kjo do të thotë se, të dy këta së bashku, marrin diçka më pak sesa Nejmari.

Paris SG dominon thellësisht renditjen e rrogave në Ligën e Parë franceze.

Në 10 vendet e para është vetëm një lojtar që nuk I përket kryeqytetasve, Radamel Falkao i Monakos.

Sulmuesi kolumbian fitom jo pak, plot 9 milionë euro në sezon, por kjo mjafton vetëm që ai të jetë në vendin e 9-të në renditje, duke lënë pas Dani Alveshin po të kryeqytetasve.

Tiago Silva, Angel Di Maria, Markinjos, Tiago Mota dhe Havier Pastore, që të gjithë të Parisit, plotësojnë 10-en e parë, dhe pas tyre vijnë po shokët e tyre të ekipit, Draksler, Verrati e Ben Arfa.

Për shkak të parave të sheikëve, polarizimi në Francë është brutal.

PSG jep 168 milionë euro rroga në vit, me një diferencë të jashtëzakonshme me Marsejën që jep 32 milionë, Monakon me 24 milionë dhe Lionin me rreth 16 milionë euro paga në sezon.

Parizienët kanë një buxhet 22 herë më të madh sesa Amieni, ekipi më i dobët financiarisht në kampionat, dhe shifrat janë 540 milionë euro në sezon ndaj 25 milionë eurove.

Nëse mesatarja e rrogave vjetore në Paris është mbi 8 milionë euro, në klubet më të vegjël si Amieni, Meci, Anzheri, Gingompi apo Troje, është 400 000 euro në vit.

Gjithsesi, kjo pasuri përrallore që rrezikon të përmbysë ekuilibrat në gjithë futbollin europian, nuk mjaftoi që parizienët të shpalleshin vjet kampionë.

Titullin e fitoi me plot meritë Monako, që arriti gjithashtu edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, dhe që pati buxhet tre herë më të vogël sesa ai i sheikëve./abcnews.al