Në një intervistë në “NewsLine” në ABC News, analisti Artur Nura, bëri një analizë të zgjeruar të paralajmërimit të SHBA për sulmet nga Irani dhe se sa e rrezikuar mund të jetë Shqipëria sipas tij.
Gjatë intervistës, Nura theksoi se qytetarët nuk kanë përse të shqetësohen sepse nuk ka vend për panik apo për sulme fizike.
Gjithashtu ai theksoi se masat janë marrë të gjitha si në nivelin teknik edhe në atë ekzekutiv. Më tej Nura u shpreh se është shumë e rëndësishme që politika të reagojë me qetësi.
“Bëhet fjalë për masa që janë në planin kibernetik dhe masa në planin modest të shqetësimeve. Pala teknike ekzekutive duhet të jetë në alert maksimal dhe si është njoftuar nga informacionet është në alert maksimal. Shqetësimi që vjen nga ambasada amerikane është shqetësim standard. Kur politika hyn dhe flet duhet thënë që dëmton ekonominë sepse nuk bëhet fjalë që do ketë luftë frontale. Ne jemi një vend i vogël. Fakti që e ngre me zë dhe kërkon Këshillin e Sigurimit, kjo do ishte e nevojshme kur ka konfrontim ushtarak. Nuk ka asnjë shans që ne të bëjmë alert, sepse të gjitha masat janë. Edhe ata që janë në opozitë s’ka pse të bëjnë të tilla veprime…Ministri i Mbrojtjes deklaroi se janë në gatishmëri. Duhet thënë që informacionin nuk e sjellin ambasadat e sjell CIA, shërbimet… Manza është një nga grupimet opozitare të një regjimi iranian. Në kampin Ashraf 3 kemi vetëm burra e gra në moshë të madhe, pra njerëz o në pension o duke dalë në pension nuk janë të rrezikshëm. Pra nuk janë një grup militar të caktuar. Pra qytetari nuk ka pse të ketë shqetësim. Sepse nuk do ketë një sulm bëhet fjalë për sulme kibernetike, pra jo përplasje fizike të gjërave”, tha ai.
Një mesazh e ka dhënë edhe për opozitën pasi në deklaratat e tyre kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Nura tha se kjo situata nuk duhet të përdoret për të përhapur panik dhe se përdorimi partiak i saj është i dëmshëm.
“Një politikan po të ketë informacion ka detyrim ligjor ta bëjë te institucioni dhe ajo që bën te opinioni publik është abuzim me pushtetin me mandatin që ka, këtë e them edhe për opozitën. Përdorimi partiak është i dëmshëm. Opozita bën gabime taktike dhe strategjike në komunikim”, u shpreh ai.


