Paralajmërimi i Lames: Kujdes kur blini toka në bregdet

schedule11:18 - 3 Mars, 2018

schedule 11:18 - 3 Mars, 2018

Shteti do të marrë mbrapsht të gjithë tokat e grabitura përgjatë vijës bregdetare shqiptare ndër vite. Bëhet fjale për rreth 30 mijë parcela dhe procesi do të nisë këto ditë me përfshirjen e disa institucioneve. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit e Urbanizimit të Zonave Informale Artan Lame deklaroi se funksionarët shtetërorë kanë perdorur ligjin 7501 për përfitime personale.

“Këta, në abuzim të pastër me pushtetin që kanë patur, kanë ndarë dhe përvetësuar si toka të koperativave bujqësore, toka dhe zona bregdetare që kurrë nuk kanë qënë prona të kooperativave, troje që kurrë nuk kanë qënë toka bujqësore, përfshirë brezin pyjor dhe ranor përgjatë bregdetit. Bash për këto arsye Qeveria po përgatit një skemë veprimi, si nevojë për të qartësuar një pjesë të mish-mashit me pronat në zonat bregdetare të vendit. Pikërisht atë pjesë që lidhet me ndarjen e këtyre zonave në mënyrë abuzive, përmes procesit të ndarjes së tokës së ish-koperativave bujqësore, apo siç njihet nga publiku përmes AMTP-ve.Qeveria synon pikërisht t’i thotë fund këtij procesi të turpshëm dhe t’i rikthejë shtetit shqiptar pronat e grabitura në këtë mënyrë.”

Parcelat e përfituara në mënyrë të paligjshme sipas Drejtorit të ALUIZN-it kohët e fundit po shiten dhe rishiten me qëllim fshehjen e abuzimeve të kryera, për këtë Lame i drejton një apel qyetarëve që të kenë kujdes kur blejnë toka në bregdet.

“Të tregohen të kujdesshëm kur ju duhet të blejnë toka në zonën bregdetare, prona apo sipërfaqe toke me prejardhje të dyshimtë, apo që mund të duken si me çmime avantazhuese.

Pas tyre fshihen njerëz apo ish-funksionarë që i kanë përfituar këto prona në mënyrë të paligjshme dhe tani, në panikun e zbulimit, përpiqen ti heqin qafe me çfarëdolloj çmimi.

Qytetarë, përpara blerjes,interesohuni pranë zyrave urbanistike nëpër bashki, nëse në këto zona parashikohen plane zhvillimi apo jo.

Përpara blerjes, interesohuni pranë institucioneve shteterore, prane zyrave të pasurive të paluajtshme (hipotekave) per origjinën e këtyre pronave.

Përpara blerjes kërkoni informacion pranë ATP (Agjensia e Trajtimit të Pronës) nëse janë prona të fituara ligjshëm përmes procesit të kthimit të pronave.”

 Pas rigrupimit në duart e shtetit, Lame thotë se pronat në bregdet do të përdoren në procesin e kompensimit të ish pronarëve dhe për investime në turizëm. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!