Paradoksi “Trump”, kërkon të punësojë emigrantë në resortin e tij

schedule22:57 - 6 Korrik, 2018

schedule 22:57 - 6 Korrik, 2018

Në një kohë, kur i ka shpallur luftë emigracionit, presidenti amerikan ka kërkuar të punësojë 61 emigrantë në resortin e tij në Florida. Për Donald Trump, kamarierë dhe kuzhinierë amerikanë të kualifikuar nuk gjenden më.

Stafi menaxhues i resortit të presidentit Trump, Mar a Lago, i ka bërë kërkesë Departamentit të Punës për lëshimin e 61 vizave për punëtorë të huaj, kryesisht për shërbyes dhe kuzhinierë. Kompleksi i ndodhur në Florida ka kërkuar viza afatshkurtra, një lëvizje kjo që sipas CNN lë të kuptohet se shtetas amerikanë të kualifikuar për punët e kërkuara nuk ka.

Sipas rrjetit informativ amerikan, 40 nga vizat janë për shërbyes, ndërsa 21 për kuzhinierë. Për vendet e punës ofrohen paga 12 dollarë ora për shërbyesit dhe 13 për kuzhinierët. Për shkak të kritereve të vizës, emigrantët do të mund të punojnë vetëm për resortin që sponsorizon ardhjen e tyre në Amerikë. Ata pritet të fillojnë punë Tetorin e ardhshëm e deri në Maj.

Në vitin 2015, Trump kishte deklaruar në një intervistë se të gjeje personel në “Palm Beach” gjatë sezonit ishte thuajse e pamundur. Që prej vitit 2010, në kompleksin e presidentit janë punësuar vetëm 17 nga 300 aplikantë me nënshtetësi amerikane dhe që prej Tetorit 2015, Mar a Lago ka bërë 10 herë kërkesa për viza të përkohshme. Kongresi amerikan ka caktuar një kuotë prej 66 mijë vizash afatshkurtra në vit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!