Parada e shqiptarëve në Nju Jork, Kepi: Shqipëria nuk ka financuar kurrë; Kosova, po

schedule19:24 - 18 Shkurt, 2020

schedule 19:24 - 18 Shkurt, 2020

I ftuar në ABC News, në studio me gazetarin Endri Xhafo, Marko Kepi tha se është duke u punuar për ndërtimin e shtëpive që janë shkatërruar në zonën e Krujës dhe Shijakut. Tashmë “Rrënjët Shqiptare” kanë arritur të ndërtojnë 4 shtëpi.

Përballë gazetarit Xhafo, Marko Kepi dha mendimin e tij për donacionin e qeverisë amerikane ndaj qeverisë shqiptare për tërmetin, ku sipas tij kjo varet nga besimi që ata kanë në qeverinë shqiptare.

Kepi tha se e mendonte kështu duke u nisur edhe nga një takim që kishte zhvilluar në ambasadën amerikane në Shqipëri ku kishte marrë si këshillë që fondet që kishin mbledhur ti menaxhonin vetë dhe jo duke i kaluar nga qeveria.

Marko Kepi gjithashtu foli edhe për angazhimin e tij në shoqatën “Rrënjë shqiptare”. Gjatë bisedës në studio Kepi tha se Shqipëria është i vetmi shtet që nuk i përgjigjet kërkesave të shoqatave të shqiptarëve në Amerikë. Ai tha se shteti shqiptar asnjëherë nuk i ka ndihmuar ndërsa shteti i Kosovës kontribuon.

Pjesë nga biseda në studio:

Endri Xhafo: Në lidhje me angazhimin tuaj me “Albanian Roots”, cilat janë aktivitetet kryesore të kësaj shoqate, që me sa kuptoj do të mbajë gjallë lidhjet e shqiptarëve të Amerikës me Shqipërinë dhe me trojet ku ka shqiptarë.

Marko Kepi: Organizatën e kemi filluar në Universitet, me një grup shqiptarësh, ato pak shqiptarë që ishim në Universitet donim që të lidheshim bashkë e mos të humbnim origjinën tonë. Qëllimi ishte që përveç klubit që hapën të cilin e quajtëm klubi i shqiptarëve, pasi të kryenim shkollën, si shoqëri ta zmadhonim sa më shumë komunitetin shqiptar.

Endri Xhafo: Jeni prej 10 vitesh organizator i paradës së shqiptarëve që dalin në rrugët e New Yorkut si ju lindi ideja për ta organizuar këtë?

Marko Kepi: Ideja u lindi disa studentëve që ishin në shkollën ku dhe unë mësoja, por unë merresha me politikë që 17 vjec, ata erdhën tek unë dhe më thanë se Irlandezët kanë paradën e vet, Italianët kanë paradën e vet, na ndihmon që edhe ne shqiptarët të bëjmë një paradë. Meqë njihja shumë politikanë ata erdhën dhe kërkuan ndihmë për këtë, pasi parada kushton dhe kërkon disa angazhime të tjera për tu organizuar.

Endri Xhafo: Parada bëhet me rastin e festave të nëntorit?

Marko Kepi: JO, parada emrin e ka “Parada e emigrantëve” dhe aty marrin pjesë 55 shtete të tjera ku vendi ynë është më i vogli. Gjithë shtetet e tjera që të marrin pjesë aty japin fondet e tyre, Shteti i Rumanisë u jepte fonde shoqatave të tyre që të bëheshin pjesë e paradave, kurse ne shqiptarët ishim thjesht vullnetarë.

Endri Xhafo: Dmth shtete të ndryshme e shohin si moment PR këtë, marrëdhënie me publikun?

Marko Kepi: Po , sepse është një vend ku mund të ekspozosh turizmin e vendit tënd, është një vend që merr përmasa mediatike në mes të New Yorkut, ku mund të shihet nga gjithë ajo popullsi aty.

Endri Xhafo: Po ju keni marrë ndihmë nga shteti shqiptar?

Marko Kepi: Asnjëherë, i kemi bërë kërkesa shumë herë dhe asnjëherë nuk kanë marrë pjesë. Shteti i Kosovës merr pjesë kurse shteti shqiptar asnjëherë. Ne punojmë vullnetarisht dhe mundohemi të reklamojmë sa më shumë Shqipërinë.

Endri Xhafo: Ju jeni pjesë e trupave të marinës, nga ju lindi dëshira ?

Marko Kepi: Për herë të parë i kam parë në Shkodër gjatë luftës së Kosovës. Aty pashë trupa nga shumë shtete dhe kur pashë trupat amerikane më dhanë një përshtypje që ishin shumë ndryshe nga të tjerët. Mu dukën më të fortë. Në Shkodër nuk kisha shanse por kur familja emigroi në Amerikë mu dha shansi ta provoja nëse mund të kualifikohesha, dhe ja arrita më në fund./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!