Në emisionin “Abc-ja e Mëngjesit’ me Enkel Demin ishte sot në studio Blerta Cara, përfaqësuese e kompanive imobilare.
Për shkak të pasojave të rënda të tërmetit të 26 nëntorit, por edhe panikut të shkaktuar, ajo tha se ka një fluks të madh të kërkesave për banesa me qira. Blerta theksoi se qyetatarët janë të interesuar për kate të ulëta.
“Të gjithë klientët janë të predispozuar për kate të ulëta dhe mundësisht të mos kishin banesa të tjera përreth. Vazhdojmë të kemi kërkesa dhe nuk po e mbulojmë dot tregun”, tha ajo.
E pyetur se nëse tani apartamentet e kateve të ulta kanë pësuar rritje të qirasë, ajo tha se deri më tani nuk ka pasur ndryshim të çmimit.
“Nuk kemi luhatje, por tani janë edhe ata persona që i kanë apartamentet dhe nuk janë me këmbë në tokë. Momentalisht është shenjë frike. Ndërrimi i stilit të jetetës do të jetë besoj ndryshimi i pallateve. Zgjidhja do të jenë vilat. Jemi edhe ne pak të hallakatuar duke qenë se edhe ata vetë nuk e dinë çfarë kërkojnë. Duan të lënë apartamentet e larta”, tha ajo, teksa shtoi se kërkesat e shumta janë në Tiranë.
“Në Tiranë kemi kërkesa, në Durrës ka shumë pak. Ata kërkojnë pallate që vërtet i kanë rezistuar tërmetit, ose kërkojnë vila. Të paktën personat që unë kam pasur konktakte preferojnë të mos largohen nga qyteti i tyre’, tha Cara, ndërsa shtoi se zonat që preferohen më shumë nga durrsakët për të lëvizur janë ato sa më afër qendrës.
“Fokusi është ti afrohen qendrës dhe të largohen nga këto zonat e plazhit’, tha ajo./abcnews.al