Pandemia i bllokoi jashtë, gjobiten me nga 600 euro shqiptarët që kthehen nga Greqia

schedule10:34 - 19 Maj, 2020

schedule 10:34 - 19 Maj, 2020

Rënia e intensitetit të infektimeve nga koronavirusi ka bërë që mjaft shqiptarë të bllokuar prej disa muajsh në Greqi të kthehen në atdhe duke u përballur me një surprizë të pakëndeshme nga pala greke.

Gazetarja Lediona Xheladinaj raporton për abcnews.al se momentalisht në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës janë duke u gjobitur një numër i madh qytetarësh shqiptarë që po futen nga Greqia në Shqipëri me argumentin se u ka kaluar afati 90 ditor për të qendruar me pasaportë në zonën Shengen.

Gjoba është fikse 600 euro për shkelje të këtij afati, ndërsa një qytetar shpjegon se është ndëshkuar vetëm për dy ditë.

Krahas fletës së gjobës, atyre u është bërë edhe një shënim në pasaportë.

“Kam shkuar për punë andej. Kisha vetëm dy ditë tepër nga 90 ditëshi dhe mora 600 euro gjobë”, shprehet një qytetar, ndërsa një zonjë shpjegon se ishte bllokuar që në janar në Greqi dhe në momentin që ka kaluar kufirin ka marrë gjobë.

Ky shqetësim i ishte parashtruar më herët kryeministrit Rama në Facebook nga qytetarë që ishin gjobitur. Ky i fundit është shprehur se qeveria nuk do ta lejojë këtë gjë.

Qytetarët ndërkohë kanë një shpresë për faljen e tyre pasi kanë dëgjuar mes oficerëve grekë se gjoba do të shënohej dhe do të falej me vonë. Megjithatë, pritet që të ketë një vendim zyrtar për diçka të tilë.

 

Deri atëhere, nëse do të ketë një falje, gjoba mbetet në fuqi dhe duhet paguar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!