Pandemia e covid rriti rezistencën ndaj antibiotikëve, mjeku: 80% e tyre nuk kanë efekt

schedule15:48 - 5 Nëntor, 2022

schedule 15:48 - 5 Nëntor, 2022

Përdorimi pa kriter i antibiotikëve gjatë pandemisë ka bërë që një pjesë e tyre të rezultojnë të pa efektshëm në trajtimin e shumë sëmundjeve.

Shqetësimi ngrihet nga shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë Myftar Barbullushi.

“Para pandemisë kishim rritje të frikshme të rezistencës bakteriale. Rreth 1.25 mln njerëz vdisnin nga rezistenca bakteriale. 80 -90 % e antibiotikëve kishin filluar të krijonin rezistencë dhe nuk kishin asnjë lloj efekti. Shtoi kësaj gjëje që gjatë Covid një pjesë e madhe e njerëzve mjekoheshin vetë,  trajtoheshin nga mjekë familje diku dhe të papërgatitur, mjekë online, kanë bërë që rezistenca bakteriale të pësoi rritje të jashtëzakonshme.”

Qasja e re e mjekësisë është trajtimi i infeksioneve më të shpeshta, ato të aparatit urinar pa antibiotik, por kjo vetëm me konsultën e mjekut.

“Kjo nuk do të thotë të mjekohemi me farmacistin. Këtë  duhet ta zgjidhë mjeku, pasi diferenca në trajtim me ose pa antibiotikë është shumë e vogël.”

Nëse nuk merren masa sipas  shefit  të Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT  Myftar Barbullushi rezistenca bakteriale mund të na kthejë në situatën e para viteve 90, kur infeksionet urinare të patrajtuara ishin shkak kryesor që pacientët ti nënshtroheshin dializës.

“Nëqoftëse ke infeksion të rrugëve të poshtme të patrajtaura, kalon në veshkë e, në gjak e situata agravohet deri në dëmtim të funksionit të veshkave.  Sipas statistikave tona deri në vitet ‘90 shkaku kryesor i prishjes së funksionit të veshkave apo kalimit të sëmurëve në dialize ishin infeksionet urinare dhe gurët në veshka. Rezistenca bakteriale mund të na bëjë të kthehemi në situatën e mëparshme nëse se shohim me seriozitet.”

Rezistenca ndaj antibiotikëve sipas mjekëve mbetet një kërcënim i madh pasi çon në kosto të larta mjekësore, qëndrim të zgjatur në spital dhe rritje të vdekshmërisë./Abcnews.al/ 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!