“Panairi i Librit duhet të jetë institucion kulturor, jo markat shitjesh”, studiuesja: Letërsia e bën botën më të mirë

schedule09:24 - 19 Nëntor, 2024

schedule 09:24 - 19 Nëntor, 2024

Studiuesja e letërsisë, Anila Mullahi ka promovuar së fundmi librin e saj më të ri “Krijimi letrar në proces”. E ftuar në “Pas Mesnate”, ajo ka folur jo vetëm për këtë libër, por për gjithçka, duke e konsideruar letërsinë si një nga dashuritë më të mëdha që ekziston në botën njerëzore.

“Leximi është shumë dashuri. Mendoj që është një nga dashuritë më të mëdha, që mendoj që ekzistojnë në botën njerëzore. Do të thosha, se vazhdimisht e diskutojmë këtë se çfarë funksioni ka letërsia, pastaj dhe funksionin estetik. Letërsia është një dashuri, sepse e bën botën më të mirë. Vazhdimisht, dëgjoj nëpër biseda se jemi kthyer në një shoqëri materialiste dhe cila është arsyeja? Është pikërisht fakti që njerëzit nuk po lexojnë më dhe nuk po bëjnë pikërisht atë që quhet edukimi estetik. Edukimin estetik e bën më së miri libri dhe me edukimin estetik, njerëzit janë më human, më njerëzor, më emocional, falin më shumë, japin më shumë dashuri, japin më shumë nga vetja. Letërsia, por të gjitha artet në përgjithësi i japin këto komponente shoqërisë. Prandaj, them që është një dashuri e madhe”.

Më tej, Mullahi u ndal dhe te Panari i Librit 2024, duke e cilësuar si një institucion kulturor dhe jo markat shitje. Sipas studiueses, në këtë panair duhet të ketë më shumë kohë për aktivitetet, pasi mbingjishen njëra pas tjetrës në pak ditë dhe kultura duhet përçuar.

“Panairi vjen pas tetorit të librit dhe kjo më jep një ndjesi të mirë, sepse në tetor ka goxha takime me shkrimtarët, ka goxha aktivitete në fushën e letërsisë. Pastaj, vjen kjo periudha e nëntorit, që është panairi. Të jep një ndjesi që njerëzit po merren me librin, po merren me artin, sepse janë shumë pranë dhe kanë një intensitet aktivitetesh. Prandaj, mbaron panairi dhe ka një periudhë të gjatë heshtjeje, nga e cila ndjen trishtim. Do të doje që ky intensitet aktivitetesh që është për pak ditë, të ishte e shpërndarë. Panairi është një institucion, nuk e shoh më as si një vend ku shiten libra, as si një vend ku lexuesi përpiqet të blejë libra, por  e shikoj si institucion artistik dhe do të doja që gjithkush ta shikonte në këtë mënyrë dhe lexuesit, edhe botuesit.

 Ka shumë gjëra që janë për t’u përmirësuar. Sepse siç e thash ka shumë aktivitete për një periudhë të shkurtër kohe, por do të doja një cilësi më të mirë të aktiviteteve”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!