Pal Lekaj: Marrëveshjet e arrituara me Serbinë, një dritare e vogël drejt dialogut

schedule14:33 - 5 Shkurt, 2020

schedule 14:33 - 5 Shkurt, 2020

Ish-ministri i infrastrukturës Pal Lekaj, konfirmoi në një intervistë ekskluzive për “ABC News” marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell.

“Sa i përket marrëveshjeve që jemi dakorduar në Berlin me mbështetjen e ambasadorit amerikan Richard Grenell, mendoj që është një dritare e vogël që të shtyn në dialogun e shumëpritur midis Kosovës dhe Serbisë. Ajo që mund të them më shumë është se të dy palët janë dakorduar, më shumë ka dominuar interesi ekonomik i zhvillimit të Kosovës dhe i rajonit, edhe me hapësirën ajrore, meqë pas 21 vitesh, jemi dakorduar për diçka që është dashur të flitet shumë nëpër tavolina, me mbështetje të faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, por ja që i dërguari special i presidentit Trump, ambasadori Grenell ia arriti që ne të dakordohemi, që të kemi Kompromise dhe që të njihen dy realitete, edhe Serbia të na njohë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, por edhe ne  të jemi të gatshëm për një fqinjësi të mirë me Serbinë”, u shpreh Lekaj.

Ndërkohë Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria do të takohen më 20 dhe 21 shkurt në Podgoricë, në nivel ekspertësh, për të diskutuar hollësitë e hapjes së hapësirës ajrore midis këtyre vendeve, vecanërisht me fokus tek Kosova, e cila, që nga viti 1999, ka pasur vetëm një koridor ajror funksional, atë me Maqedoninë e Veriut. Këtë muaj, pritet gjithashtu edhe nënshkrimi i marrëveshjes për transportin hekurudhor midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa sipas burimeve në Prishtinë, duhet të fillojë edhe diskutimi për rivendosjen e transportit tokësor midis dy vendeve. Lekaj theksoi se edhe pse Kosova ka tashmë një qeveri të re, garantues i  këtyre marrëveshjeve janë Shtetet e Bashkuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!