Ministri i Jashtëm turk tha se marrëveshja e mbrojtjes e nënshkruar nga Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite nuk e shënjestron Iranin, megjithëse u shpreh se teknikisht, është e njëjtë me Nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj njërit konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve të aleancës.
Fidan u shpreh se paktit të nënshkruar më 7 gusht nga udhëheqësit e tre vendeve mund t’i bashkohen edhe Egjipti e të tjera vende, pasi të zgjidhen një sërë çështjesh teknike.
NATO është një aleancë e madhe ushtarake ku bëjnë pjesë 32 vende. Ne kemi nisur këtu si tre vende dhe duhet të ndërmarrim hapa shumë modestë, por konkretë.
Fidan njoftoi se do të krijohet një komitet ministrash, i ngjashëm me atë brenda aleancës së NATO-s, si dhe një sekretariat i përgjithshëm, me seli në Arabinë Saudite.
Kryediplomati turk nuk tregoi se çfarë çështjesh duhet të zgjidhen që t’i hapet rrugë bashkëngjitjes së Egjiptit në marrëveshjen ku bëjnë pjesë shtete me shumicë myslimane sunite. Irani ka popullsi shumicë myslimane shiite.
Më 7 gusht, udhëheqësit e Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit u takuan në qytetin saudit të Mekës për të nënshkruar marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes, që synon forcimin e “parandalimit kolektiv ndaj çdo akti agresioni”.
Qeveria turke tha se “marrëveshja nuk bie ndesh me angazhimet e aleancave ekzistuese ndërkombëtare të Turqisë, përfshirë ato që qëndrojnë në thelb të NATO-s”. Turqia është anëtare e aleancës ushtarake perëndimore.
Marrëveshja është sidomos e rëndësishme, në dritën e sfidave dhe kërcënimeve në rritje, me të cilat përballet rajoni, që para së gjithash janë sulmet terroriste, kontrabanda e armëve dhe kërcënimet ndaj vendeve fqinje dhe rrugëve ndërkombëtare detare, sipas Ankarasë.


