Pakt te Vllaznia, kryebashkiakja bind futbollistët me premtimin e bërë

schedule14:37 - 24 Maj, 2020

schedule 14:37 - 24 Maj, 2020

Futbollistët e Vllaznisë pritet të kthehen në stërvitje në fillim të kësaj jave, pas një takimi me kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi. Atyre iu premtua se do t’u zgjidhej çështja e pagave deri në 3 qershor.

Mund ta themi pa frikë se gabojmë, që situata po përmirësohet. Futbollistët e Vllaznisë kanë rënë dakord që të rikthehen në stërvitje që në fillim të kësaj jave, pas një takimi në Bashkinë e Shkodrës. Burime në klub bëjnë me dijë se lojtarët kryesorë u pritën nga kryetarja Voltana Ademi dhe ajo u premtoi zgjidhje për problemin e pagave të padhëna.

Kryebashkiakja u shpreh se kriza do të zgjidhej deri para datës 3 qershor, kur nis Superliga. Lojtarët u paraqitën në ditën e parë të rikthimit në stërvitje në 18 qershor, pas pauzës së pandemisë së koronavirusit, por më pas kërkuan takim me drejtues të klubit për çështjen e rrogave.

Ata pretendojnë se kanë disa muaj pa u paguar, ndaj kërcënuan me bojkot të seancave. Burime në skuadrën shkodrane tregojnë për televizionin se atyre iu premtua se deri në 3 qershor do t’u jepet një rrogë e prapambetur.

Më pas do të jepen edhe dy të tjera. Lojtarët kanë deklaruar se kanë 4 muaj pa marrë rrogat, ndonëse nga klubi u tha se bëhet fjalë për më pak se 2. Vllaznia mbetet në pronësi dhe administrim të Bashkisë, ndryshe nga shumica e klubeve të Superligës që kanë presidentë-sponsorë, apo kanë status tjetër juridik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!