Paketa Antishpifje, Rama: Së shpejti çelim konsultimin publik

schedule10:47 - 20 Nëntor, 2018

schedule 10:47 - 20 Nëntor, 2018

Kryeministri Edi Rama ka risjellë në vëmendje nismën për paketën Antishpifje. Nga selia e OSBE-së në Vienë, kreu i qeverisë njofton se së shpejti do të celet konsultimi publik për paketën antishpifje, e cila do të kalojë në Kuvend pas Vitit të Ri.

Paketën antishpifje kryeministri Edi Rama e ka diskutuar edhe në Vienë në selinë e OSBE-së me përfaqësuesin për lirinë e medias, Harlem Desir. Në rrjetin social Twitter, kryetari i qeverisë publikon foto nga takimi ku sqaron se pjesë e bidesës ishte edhe kuadri i ri rregullator i portaleve. Kryeministri Edi Rama njofton çeljen e konsultimit publik për paketën antishpifje, e cila do të kalojë në Kuvend pas Vitit të Ri.

Në fillim të muajit Tetor, kreu i qeverisë lajmëroi nismën e re të socialistëve, e cila nuk synon të mbyllë rrugët e lirisë së shprehjes, por që secili t’i dalë për Zot asaj që thotë, deklaroi kryeministri sipas të cilit paketa antishpifje nuk ka lidhje me ndëshkime penale, por do të jetë një paketë me standarde evropiane.

Jo vetëm kaq por këtij propozimi iu bashkëngjit edhe një tjetër, krijimi i fondit të edukimit që do të mbledhë paratë e socialistëve që pretendojnë të fitojnë nga gjyqet për shpifje. Ky fond do të krijohet prej qeverisë për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

I pari që e vuri në zbatim ishte kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Ai tha se është dëmshpërblyer me një million lekë  nga gjyqi për shpifje ndaj këshilltarit bashkiak të Partisë Demokratike, Akil Kraja, me të cilat bleu dy kompjutera për laboratorin e informatikës në shkollën “Isa Boletini” në Kamëz.

Pavarësisht se opozita u shpreh kundër kësaj pakete, kryetari i qeverisë nuk tërhiqet. Ai njoftoi se 12 paditë e para janë gati nga ana e tij ndërkohë që në përpunim janë nja dy duzina të tjera. “Kjo opozitë si Liza në botën e çudirave do lerë dhe çizmet gjyqeve”, paralajmëroi kryeministri Edi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!