TIRANË- Një pajisje e re i është shtuar shërbimit të Onko-Hematologjisë Pediatrike në QSUT, ku trajtohen fëmijë me sëmundje onkologjike dhe hematologjike. Kabineti i posaçëm përdoret për përgatitjen e medikamenteve citostatike, duke garantuar kushte më të sigurta gjatë këtij procesi dhe duke mbrojtur personelin nga ekspozimi ndaj këtyre medikamenteve
“Ky aparat është pjesë e aparaturave që duhet të plotësojë një shërbim për të qenë i certifikuar. Ai përdoret në përgatitjen e medikamenteve citostatike, kryesisht për t’i ruajtur nga kontaminimi bakterial, viral dhe mykotik. Por në radhë të parë dhe kryesor është mbrojtja e personelit dhe trajnimi i tyre për përdorimin e kësaj pajisjeje”, Prof. Dr. Donjeta Bali, shefe e shërbimit të Onko-Hematologjisë Pediatrike, QSUT.
Realizimi i projektit është bërë i mundur përmes mbështetjes së fondacionit HOPE4Kids Albania dhe Albsig, ndërsa përfshin edhe montimin, mirëmbajtjen dhe trajnimin e stafit për përdorimin e pajisjes
“Ky është një ndër projektet e para të fondacionit, të cilin do ta mbështesim. Jemi të gëzuar që, përmes kërkesës dhe mbështetjes sonë, arritëm të siguronim një pajisje që i duhej këtij reparti. Misioni ynë është të mbështesim fëmijët dhe mjekimin e tyre”, tha Albana Hidersha, drejtore ekzekutive dhe bashkëthemeluese e HOPE4Kids Albania.
Kontributi i sektorit privat vlerësohet edhe nga drejtuesit e QSUT-së si një mbështetje konkrete për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
“Faleminderit Albsig dhe fondacionit për këtë kontribut, për përmirësimin e shërbimit ndaj pacienteve tanë. Kontribute të tilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse janë shembull i investimeve për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në spitalet tona“, tha Marsida Mulaj, zv.Drejtore e Përgjithshme, QSUT.
Nga Albsig, theksi vihet tek siguria e pacientëve dhe stafit, veçanërisht në shërbimet pediatrike.
“Albsig vazhdimisht ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një nga kontribuuesit nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet shtetërore shëndetësore, për të qenë pranë tyre për çdo nevojë, sidomos për pediatrinë. Jemi munduar që kjo pajisje t’u vijë në shërbim pacientëve, por edhe stafit, sepse është një pajisje që ka sigurinë si pjesë fondamentale të saj“, tha Niko Leka, drejtor i Departamentit të Shëndetit, Albsig.
Projekti përfshin gjithashtu trajnimin e personelit dhe mirëmbajtjen e pajisjes, me synim që ajo të jetë funksionale dhe e gatshme për përdorim në repart.

