“Paguani, ose 3 pikë minus”, FSHF mesazh të prerë Skënderbeut e Flamurtarit

schedule12:54 - 6 Mars, 2021

schedule 12:54 - 6 Mars, 2021

FSHF vazhdon të funksionojë si CIA dhe vendimet e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve kurrë nuk bëhen publike, sikur të ishin sekret shtetëror. Kjo ndodh me raste, pasi kohë më parë njoftohej për ccështjen Muzaka.

Gjithsesi herë pas here Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës edhe shqyrton ndonjë kërkesë për zbatimet e vendimeve të DHKZK, sikurse ka ndodhur së fundmi pas kërkesave të bëra nga Leonit Abazi dhe Ergi Lubani, të cilët presin të marrin pagat që u takojnë nga Skënderbeu dhe Flamurtari.

Organi disiplinor në FSHF ka vendosur sot që dy klubet e përmendura më lart të zbatojnë vendimet e DHKZK, ose pas 30 ditësh do të merren të tjera masa, çka nënkupton fillimisht heqjen e tre pikëve. Më poshte vendimet e zbardhura të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës:

“Pranimin e kërkesës së kërkuesit Leonit Abazi. KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 20, datë 28.02.2020 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 62/1/a të KDS, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.

Pranimin e kërkesës së kërkuesit Ergi Lubani. Flamurtari FC, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 33, datë 03.10.2020 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 62/1/a të KDS, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin”. /abcnews.al