Katër ditë i ndajnë qytetarët e Kosovës nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Programet e tyre politike nuk kanë ndryshuar shumë nga ato të 9 shkurtit, përsëri theksi është tek ekonomia, anetërsimi i vendit në NATO dhe BE, apo klisheja e çuarjes përpara të punëve të nisura.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video ku prezanton një nga pesë zotimet e tij, të cilat i cilësoi si kryesore dhe tha se në fokus të drejtpërdrejtë e ka lehtësimin e barrës për punëtorët dhe familjet e Kosovës.
Sipas planit të prezantuar, Qeveria Hamza do të zbatojë një sistem të ri tatimi në paga duke theksuar se pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen fare.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një tjetër synim në qëndrimin e saj përballë votuesit, edhe për shkak të historikut të familjes Haradinaj në luftën e vendit për clirim.
Ata premtojnë anëtarësimin e vendit sa më shpejt në aleancën ushatrake dhe politike të NATO-s, edhe nisur nga argumenti se formimi i ushtrisë së Kosovës është një proces zoti Haradinaj deklaron se ka dhënë shumë kontribut.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e mbyll fushatën në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në programin e saj premton vende pune, arsim cilësor dhe shëndetësi dinjitoze, edhe pse një nga argumentat më të fortë publik kanë qënë çështje që lidhen me sektorin energjitik në vend.
Nisma e Limajt është e fokusuar në atë që e kanë cilësuar me terma ushtarak “ta çajmë rrethimin”, duke nënkuptuar marrjen e votave të mjaftueshme për të kaluar pragun zgjedhor, ndërsa për VV gjithçka përmblidhet në sloganin e tyre “Mo lësho pe”.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të dytat brenda vitit për pushtetin ekzekutiv. Në 9 shkurt asnjë nga partitë nuk mori votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, dhe për dhjete muaj nuk pati asnjë kompromis politik për bashkëqeverisje./abcnews.al

