Padia për shpifje, Shkëlzen Berisha përballet me Taulant Ballën në Gjykatë

schedule18:32 - 15 Shkurt, 2018

schedule 18:32 - 15 Shkurt, 2018

Deputeti socialist, Taulant Balla, u përball të enjten në Gjykatën për Krimet e Rënda me Shkëlzen Berisha.

Arsyeja e pranisë së tyre në të njëjtën sallë ishte padia për shpifje e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, kundër kreut të grupit paralamentar të PS.

Në pak minuta, gjykata vendosi shpalljen e moskompetencës në shqyrtimin e dosjes duke e rikthyer atë në Gjykatën e Lartë.

Në padinë e bërë kundër kreut të grupit paralamentar të Partisë Socialiste, Shkëlzen Berisha pretendon se deputeti socialist ka shpifur në emër të tij gjatë seancave të Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen “CEZ”.

Ky pretendim u rikonfirmua prej tij pas seancës.

Shkëlzen Berisha: “Taulant Balla ka dalë dhe ka thënë që, unë nuk kam paguar asnjë taksë për tre vite. Faktikisht, arsyeja pse unë jam këtu sot është mundësia që ju më jepni për të bërë transparencë për këtë gjë. Unë kam me vete dokumenta nga tatimet që vërtetojnë se unë kam paguar vetëm në dy vite 50 milionë lekë taksa, pa llogaritur vitet më përpara bazë dhe pa llogaritur taksat e mia trë biznesit”.

Djali i ish-kryeministrit komentoi edhe dëshminë e dhënë prej tij në Prokurorinë e Tiranës për llogari të hetimit të dosjes “CEZ”.

Shkëlzen Berisha: “Në zbatim të ligjit, unë kam shkuar në Prokurori, njëlloj siç kam shkuar përpara Komisionit dhe kam deklaruar të njëjtat gjëra që kam deklaruar përpara jush, që asnjë e ardhur e imja, asnjë kontakt i imi, asnjë aktivitet i imi nuk ka lidhje as me privatizimin dhe as me aktivitetin e “CEZ” në Shqipëri”.

Deputeti Balla i bëri thirrje Prokurorisë, që të hetojë me seriozitet dosjen “CEZ”.

Taulant Balla: “I bëj thirrje Prokurorisë ta hetojë këtë dosje me seriozitetin më të madh. Të respektojë vendimin e Gjykatës Tiranë, po të Krimeve të Rënda, që i ka kërkuar prokurorisë të marrë në pyetje personat sikurse Shkëlzen Berishën, sikurse Genc Rulin, sikurse Sali Berishën, sikurse Nue Nikalajn. Dhe në rastin e këtij personi i bëj thirrje Prokurorisë që të përdoren të gjithë mekanizmat që ky person të gjendet”.

Balla komentoi edhe pretendimet e paditësit të tij.

Taulant Balla: “Përsa i përket llokoçitjeve të të birit të babait se paska punuar punë të ndershme një njeri që nuk i ka thënë njëherë mirëmëngjes punës, të çohet në orën shtatë të mëngjesit e në orën tetë të jetë në punë dhe në gjashtë të kthehet në shtëpi nga puna. Një njeri që nuk ka firmosur njëherë në një vend punë, por që të vetmet të ardhura i ka, siç i shikoni, të deklaruara si komisione merrja atij dhe çoja këtij”.

Në ditët në vijim padia e Berishës do të riregjistrohet në Gjykatën e Lartë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!