Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkonte shfuqizimin e dekretit për emërimin si prokuror të Ols Dados në vitin 2008, me pretendimin se nuk e ka kryer Shkollën e Magjistraturës.
Gjyqtari Hazbi Balliu e rrëzoi kërkesën me argumentin se Veliaj ka interes të tërthortë, jo të drejtpërdrejtë, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë interes.
Gjykata rrëzoi gjithashtu edhe kërkesën për t’u pranuar si palë të ish-prokurorit Tom Deda, pasi ai pretendonte se është shkarkuar padrejtësisht nga detyra për të emëruar në vend të tij prokurorin Ols Dado.
Por mbrojtja e prokurorit Dado argumentoi se Deda ishte shkarkuar një vit pasi Dado ishte bërë prokuror, duke rrëzuar kështu argumentin kryesor të tij se ishte shkarkuar nga Ina Rama për t’i lënë vendin Ols Dados.
Përfaqësuesja e Presidencës dhe mbrojtja e prokurorit kërkuan rrëzimin e padisë, kërkesë e cila u pranua në fund nga gjykata.
Në seancën që zgjati dy orë, Veliaj mbërriti nga paraburgimi i Durrësit me pranga në duar dhe këmbë, dhe këmbënguli se është rrëmbyer nga detyra nga një prokuror i emëruar në mënyrë të paligjshme.
Avokati i prokurorit Dado deklaroi se nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë pasojë dhe se kryebashkiaku Veliaj, nëse ka pretendime për prokurorin, duhet t’i paraqesë ato në GJKKO.
Tashmë pritet që vendimi të ankimohet në Gjykatën Administrative të Apelit, ndërsa në GJKKO vijon gjykimi në themel për dosjen në ngarkim të Veliajt.

