Padi penale për pritjen e Kurtit/ Ministria e Brendshme e RMV akuza ndaj kryetarëve të Tetovës dhe Çairit

schedule23:31 - 15 Gusht, 2023

schedule 23:31 - 15 Gusht, 2023

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar polemika të ashpra në vend.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka ngritur kallëzime penale kundër kryetarëve të Tetovës dhe Çairit, për shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore. Simbole këto që janë përdorur teksa ka qenë i pranishëm kreu i qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami dhe ai i Çairit, Visar Ganiu, janë marrë në pyetje të martën nga Policia maqedonase, e cila e ka bërë të ditur vendimin për kallëzimet penale.

“Nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast nuk është kënduar himni shtetëror dhe nuk është vendosur flamuri, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore, neni 30, parasheh dënime prej 1.000 deri në 5.000 euro nëse nuk përdor këto simbole në manifestimet e përcaktuara. Marrja në pyetje është konfirmuar edhe nga kryetarët e dy komunave, të cilët veprimin e autoriteteve e kanë quajtur “komunist” me qëllim “frikësimi”.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti në Tetovë dhe Çair, ka shkaktuar reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e vizitës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!