Pa vaksinë ose test PCR nuk mund të futesh në auditore, kaos tek Filologjiku

schedule10:58 - 18 Tetor, 2021

schedule 10:58 - 18 Tetor, 2021

Këtë të hënë studentët në të gjithë vendin janë kthyer në auditorë. Megjithatë, situata nëpër fakultete nuk ka qenë ajo e zakonshmja e ditës së parë. Në pjesën më të madhe të këtyre institucioneve ka pasur trazira për shkak se një pjesë e mirë e studentëve nuk janë vaksinuar.

Kaotike situata ka qenë paraditen e së hënës edhe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Në disa pamje të filmuara në portën kryesore të fakultetit shihet një numër i madh studentësh që nuk po lejohen të futen në godinë.

Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, do të lejohen të futen në auditore vetëm ata që janë vaksinuar me një ose dy doza, ndërsa të tjerët do duhet të paraqesin një tampon negativ. Kjo ka bërë që të ketë përplasje mes studentëve që nuk kanë pranuar të vaksinohen dhe personave që janë vendosur nga institucionet arsimore për të kontrolluar zbatimin e rregullave.

Situatë e ngjashme është krijuar edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. /abcnews.al/