Osmani shfuqizon dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

schedule07:26 - 26 Nëntor, 2020

schedule 07:26 - 26 Nëntor, 2020

Presidentja në Detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Dekretet ishin nënshkruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

“Për tri rastet e para (Pragë, Lubjanë, Shkup), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte pëlqim nga shteti pritës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani këtë vendim e kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës së mërkurë pasi mediat lokale raportuan për emërimin e Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë.

Vota e Haxhi Shalës ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kur është votuar për qeverinë e re, deputeti Shala pati deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë ishte kundërshtuar edhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të mërkurën se ky emërim ishte bërë pa pasur një koordinim me të. Ai tha se është informuar nga mediat për këtë rast.

Ndërsa vetë Flakron Shala përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se në pozitën Konsullit të Përgjithshëm është “emëruar sipas ligjit në fuqi”.

Të shkarkuarit tjerë janë: Blendi Kilaj – Lubjanë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë.e.su/abcnews.al