Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk ka kërkuar që të jenë katër emra të propozuara prej saj në top dhjetëshen e Listës së LDK-së, duke shmangur përgjigjen konkrete se si do të kandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
E pyetur nëse do të kandidojë si presidente apo deputete, ajo tha se çdo vendim do të bëhet i ditur në kohën e duhur, ndërsa theksoi se mbështetja kryesore për të vjen nga qytetarët.
Ajo bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin me qytetarët, duke përmendur edhe paraqitjet e përbashkëta në terren.
E pyetur për kundërshtimet e disa ish-deputetëve të LDK-së ndaj rikthimit të saj në politikë, Osmani tha se fokusi i saj mbetet tek qytetarët dhe mbështetja që merr prej tyre.
Ende nuk është zyrtarizuar kthimi i Osmanit në LDK edhe pse vetë kreytari i saj Abdixhiku deklaroi se do të investohej personalisht për ti hapur asaj dyert e partisë.
Ldk ka mbledhur këtë të martë strukturat e partisë për të diskutuar sfidën e rradhës elektorale dhe përfshirjen e Osmanit në lista.


