Liderët botërore të OSBE-së kanë bërë një deklaratë të përbashkët këtë mëngjes, ku kërkojnë vetëpërmbajtje të dielën në votime, shmangien e dhunës dhe dialog të menjëhershëm pa kushte. Të njëjtat qëndrime ndan dhe delegacioni i BE-së në Tiranë, e cila kërkon nga opozita të jetë po aq paqësore sa në protestën e fundit.
Situata politike në Shqipëri dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ka marrë vëndmendjen e 4 drejtuesve më të lartë botërore të OSBE-së.
Kryetari i Radhës Lajčák, Sekretari i Përgjithshëm Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Montella, kërkojnë dialog dhe shmangien e dhunës.
“Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht.
Ne i nxitim të gjithë aktorët të shmangin dhunën; si autorët, ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunshme do të jenë përgjegjës ligjërisht. Gjithashtu, në u bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të përdorin masa përpjestimore”.
Deklarata e liderëve të OSBE-së, vijon me dënimin e akteve të dhunshme.
“Teksa njeh të drejtën e shqiptarëve për mjetet e paqta të protestës, OSBE-ja dënon me forcë sulmet e dhunshme të kohëve të fundit kundër organeve të ngarkuara me organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri, ku u dëmtuan shkolla dhe material zgjedhore. Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, pengon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit”.
Me të njëtat tone është edhe deklarata e Delegacionit të Bashkimit Evropian:
“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen”.
Zyra e drejtuar nga Soreca, kërkon qetësi të dielën, si në protestën e fundit të opozitës.
‘Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese”.
Bashkimi Evropian e mbyll deklaratën me kërkesën që të gjitha palët të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike. /ABC News Albania 24/7