Dy personat e arrestuar për trafikimin e 137 kilogramëve kokainë kanë dhënë dëshmitë për rolin e tyre në raport me Gentian Malindin, pronarin e anijes që transportoi sasinë e kokainës. Të dy kanë thënë se nuk kanë patur dijeni për praninë e drogës.
Zbardhen dëshmitë e dy personave të arrestuar për trafikimin e 137 kilogramë kokainë të kapura në kontenierët me banane, në portin e Durrësit. Altin Myslihaka, ka deklaruar para gjykatës se shefi i tij Gentian Malindi i kishte kërkuar që të shkonte tek kontenierët dhe të merrte një çantë me hekura dhe t’ia dërgonte atij në makinë.
Myslihaka është shprehur se nuk kishte dijeni se çfarë kishte brenda në çantë, duke mohuar kategorikisht se ka lidhje me trafikimin e 137 kilogramëve kokainë. Ai tha se kishte punuar në mjetin lundrues te Malindit, i cili është shpallur në kërkim nga policia, por ishte pushuar 2 javë më parë.
Nga ana tjetër, oficeri i sigurisë në portin e Durrësit Ardian Bega, ka deklaruar se është telefonuar nga Gentian Malindi, i cili i kishte premtuar 200 mijë lekë për të nxjerrë diçka nga terminali i kontenierëve, pasi vetë Malindi donte që të shmangte dyshimet e rojes, në hyrjen e sheshit të kontenierëve.
I dyshuari Bega ka deklaruar se ka qenë me makinë me Malindin, kur është zbuluar se në pako nuk kishte kokainë, por oriz. Sipas dëshimisë së tij, në atë moment ata po udhëtonin me shpejtësi në zonën e Plepave në Durrës, pasi dyshonin se në pako kishte GPS.
Oficeri i policisë së portit ka deklaruar se nuk e kujton se ku ka zbritur Gentiani, ndërsa ai vetë është dërguar nga shoku i Malindit tek Ura e Dajlanit, aty ku kishte lënë makinën. Trafiku i lëndës narkotike ishte sinjalizuar nga DEA amerikane dhe u zbulua nga policia greke.
Uniformat blu të vendit fqinj kanë bërë zëvendësimin e 137 kilogramëve kokainë me oriz, në Portin e Pireut. Me pas kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e kontenierit, deri në Durrës, për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës. Aktualisht të arrestuar janë Ardian Bega dhe Altin Myslihaka, ndërsa në kërkim është Gentian Malindi i dyshuar si porositësi i kokainës./ABC News Albania 24/7