Një ditë para protestës së lajmëruar të opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thirri në zyrën e tij aleatët parlametnarë. Në takimin që nisi rreth orës 10.30 u diskutua rreth organizimit të protestës së lajmëruar vetëm një javë më parë si dhe angazhimit të strukturave partiake për një pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve.
Masiviteti i protestës pritet të jetë edhe mesazhin më i qartë i manifestimit. Protesta është parashikuar të nisë të shtunën në orën 11. Përfundimi i saj nuk ka një orar të paralajmëruar duke e lënë të përcaktohet në varësi të ecurisë së protestës, por burime pranë selisë blu bëjnë me dije se pritet të zgjasë disa orë. Manifestimin opozita do ta nisë në fillimin e Bulevardit Bajram Curri, simbolikisht nga ministria e brendshme, drejtuesit të së cilës i drejtojnë edhe thirrjen e largimit. Protestuesit që vijnë nga Vlora pritet të shfaqin pankarta me thirrje drejtuar “Pashait të Vlorës” nofkë e pretenduar e Agron Xhafajt. Me pas do të marshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të stacionohen përballë Kryeministrisë ku do të ketë edhe një simbolikë.
Burime pranë selisë blu bëjnë me dije për ABC News se në protestë do të shpalosen pankarta si ajo e së enjtes në sallën e parlamentit, por edhe sllogane kundër krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare me subjekt zyrtarë të përfshirë në këto afera sipas PD-së si Fatmir Xhafaj, Sajmir Tahiri por edhe Agron Xhafaj dhe Habilajt. Drejtuesit e Partisë Demokratike dhe aleatët e saj kanë bërë thirrje për protestë paqësore me qëllim largimin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Deri më tani burimet bëjnë me dije se lista e folësve do të jetë e shkurtër ku fjalën kryesore do e mbajë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha./abcnews.al