Organet e Drejtësisë, Meta i kalon topin Kuvendit

schedule14:18 - 22 Nëntor, 2017

schedule 14:18 - 22 Nëntor, 2017

Presidenti i Republikës i ka kërkuar Kuvendit të ndërhyjë për të zgjidhur ngërçin e krijuar me shortin për KED-në. Në kushtet kur nuk janë ngritur ende KLGJ dhe KLP, Meta shpjegon se e ka të pamundur që të marrë kandidaturat e nevojshme për t’i hedhur në short brenda datës 5 dhjetor, që parashikon ligji. Në këto kushte, Kuvendi ka vendosur ta zgjidhë vetë problemin, duke njoftuar hedhjen e shortit më datë 7 dhjetor.

Vonesat në ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë po pengojnë të gjithë zinxhirin e institucioneve të reja të reformës në drejtësi. Një prej tyre është pikërisht KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për të cilin Presidenti i Republikës duhej të hidhte në short kandidatët e përcjellë nga KLGJ dhe KLP.
Në pamundësi për të bërë një gjë të tillë, Ilir Meta i ka dërguar një letër Kuvendit, ku e njofton se në bazë të ligjit, Presidendi duhetë të hedhë shortin brenda datës 5 dhjetor. Kjo skadencë duket se tashmë është e pamundur që të respektohet, gjë që ka shtyrë Presidentin që të kërkojë edhe një mendim të misionit këshillues të Bashkimit Europian, Euralius. Ky i fundit mësohet se i ka sugjeruar Presidentit që t’i marrë kandidaturat e KLGJ-së nga KLD-ja aktuale, ndërsa ato të KLP-së nga Këshilli ekzistues i Prokurorisë.

Por Meta duket se ka preferuar të veprojë ndryshe, duke i kaluar topin Kuvendit. Në shkresën drejtuar këtij institucioni, kreu i Shtetit sqaron kushtet në të cilat gjendet, që pamundësojnë hedhjen e shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, si dhe vakuumin ligjor me të cilin është hasur për zgjidhjen e ngërçit. Ndaj, Meta i kërkon Kuvendit që të ndërhyjë, si organi që ka hartuar ligjin në fjalë.
Ndërkohë, Kuvendi njoftoi zyrtarisht se do ta zgjidhë vetë problemin e krijuar, duke hedhur shortin në fjalë më datë 7 dhjetor./abcnews.al

https://youtu.be/aDfbLyDWPQM

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!